Vendet evropiane, përfshirë Francën, aktualisht mbulojnë dy të tretat e të dhënave inteligjente që Ukraina merr nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Deklarata është bërë nga Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, gjatë një interviste për rrjetin ‘France Inter’, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi reduktimin e mundshëm të shkëmbimit të informacioneve nga ana e SHBA-së dhe kufizimet në sistemin e komunikimit satelitor Starlink.
“Më lejoni t’ju kujtoj se dy të tretat e informacioneve inteligjente që i ofrohen sot Ukrainës vijnë nga evropianët, përfshirë Francën”, deklaroi Barrot.
Sipas kreut të diplomacisë franceze, Evropa ka kohë që mban peshën kryesore të mbështetjes për Ukrainën dhe ushtron presion të vazhdueshëm ndaj Rusisë.
I pyetur drejtpërdrejt nëse Uashingtoni ka reduktuar apo ndërprerë shkëmbimin e informacioneve me Kievin, ministri francez as nuk e konfirmoi dhe as nuk e përgënjeshtroi një gjë të tillë. Ai preferoi të nëvizojë rolin kyç të aleatëve evropianë dhe komentoi raportimet mbi problemet me rrjetin satelitor.
“Ka informacione publike që duket se tregojnë një rënie të shpejtësisë së punës së Starlink-ut” u shpreh Barrot.
Ai solli në vëmendje edhe deklaratat e sipërmarrësit Elon Musk, i cili ia atriboi përgjegjësinë për kufizimet e vendosura ndaj “Starshield” — versionit ushtarak të rrjetit satelitor — direkt qeverisë federale të SHBA-së.
Lidhur me qëndrimet e Presidentit Volodymyr Zelensky dhe deklaratat e tij rreth mbështetjes nga ish-presidenti Donald Trump, Barrot shmangu një përgjigje direkte.
Ai theksoi se udhëheqësi ukrainas flet hapur për veprimet e të gjithë aleatëve dhe më parë ka pasur kritikë edhe ndaj vetë evropianëve.
“Kjo nuk duhet nxjerrë nga konteksti. Volodymyr Zelenskyy ka shprehur gjithashtu dëshirën e tij për të vazhduar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara” u shpreh ministri francez
.Barrot paralajmëroi se Kremlini po përpiqet të shfrytëzojë çdo zhvillim për të demoralizuar popullsinë ukrainase dhe për të zbehur mbështetjen e aleatëve ri perëndimorë.
“Ne po zhvillojmë një luftë në fushën e betejës, por edhe në mendjet e njerëzve” nëvizoi ai.
I pyetur nëse Franca dhe Evropa mund të mbulojnë mungesat e mundshme në mbështetjen amerikane, Barrot vuri theksin te projekte të përbashkëta në mbrojtjen ajrore, veçanërisht për zhvillimin e shpejtë të raketave mbrojtëse me kosto më të ulët dhe prodhim më të shpejtë.
Burimi: Lajme ndërkombëtare
