Bota do të vazhdojë të përballet me pasojat e krizës energjitike të shkaktuar nga lufta SHBA-Iran dhe Rusi-Ukrainë, ndërkohë që qeveritë kërkojnë burime alternative të energjisë dhe forcojnë sigurinë e furnizimit.
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka deklaruar se pret që kriza energjetike të vazhdojë deri në vitin 2027.
“Nuk jam optimist për një normalizim në vitin 2027. Edhe kur përpiqem t’i shoh gjërat me optimizëm, nuk gjej asnjë argument që të më bindë. Kjo krizë do të vazhdojë, në një formë apo në një tjetër, edhe në vitin 2027. Bota do të jetë ende duke u përpjekur të shërojë plagët e saj, kjo, me kushtin që të mos shfaqen plagë të reja”, tha Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol.
Deklaratat e Birol erdhën teksa çmimet e naftës janë rritur drejt niveleve të tyre më të larta në pesë muaj.
Situata në Lindjen e Mesme mbetet e nxehtë, ndërsa rezervat emergjente të naftës në botë janë në nivelet e tyre më të ulëta në dekada.
Analistët thanë për Al Jazeera se rezervat strategjike globale, duke përjashtuar Kinën dhe Iranin kanë rënë me pothuajse 327 milionë fuçi që nga fundi i dhjetorit 2025.
Kjo lë në dispozicion vetëm rreth 400 milionë fuçi rezerva të përdorshme në mbarë botën, duke përjashtuar rezervat e Kinës, të cilat ka pak gjasa të eksportohen si dhe rezervat e vendeve të Gjirit, të cilat mund të bëhen të paarritshme nëse ngushtica e Hormuzit mbyllet totalisht.
Nëse konfliktet përshkallëzohen dhe rrugët e transportit nga Lindja e Mesme mbyllen plotësisht, sipas ekspertëve, rezervat e naftës mund të zgjasin vetëm për disa javë.
