Ka nisur në Gjykatën e Tiranës procesi gjyqësor ndaj Elvis dhe Gjon Shkambit, të akuzuar për përfshirjen në ngjarjen e rëndë të 6 tetorit 2025, kur gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda ambienteve të gjykatës.
Në seancën e parë ishin të pranishëm edhe bashkëshortja dhe fëmijët e gjyqtarit të ndjerë, të cilët kërkuan drejtësi dhe zbatimin e ligjit. Familjarët u përballën për herë të parë në sallën e gjyqit me të pandehurit, ndërsa kërkuan gjithashtu kohë për t’u njohur me aktet e dosjes.
Gjatë seancës, prokurori lexoi kërkesën për dërgimin e çështjes për gjykim. Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të të pandehurve kërkuan kohë për t’u njohur me materialet e dosjes, si dhe vënien në dispozicion të regjistrimit audio të datës 6 tetor, kur ndodhi vrasja. Për shkak të këtyre kërkesave, seanca e radhës u caktua më 16 dhjetor.
Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi pas një procesi gjyqësor që lidhej me një konflikt pronësie mes familjeve Shkambi dhe Kurtaj. Prokuroria dyshon se Elvis Shkambi qëlloi me armë ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja, duke i shkaktuar vdekjen, si dhe ndaj dy personave të tjerë, babë e bir, të cilët mbetën të plagosur.
Elvis Shkambi akuzohet për vrasjen e funksionarit publik, tentativën e vrasjes së dy personave dhe armëmbajtjen pa leje. Ndërsa Gjon Shkambi akuzohet për rolin e dyshuar në konfliktin që, sipas organit të akuzës, çoi në tentativën e vrasjes së dy pjesëtarëve të familjes Kurtaj.
