Udhëheqësit e Finlandës dhe Norvegjisë telefonuan Presidentit rus Vladimir Putin të martën, duke i bërë thirrje që t’i japë fund luftës në Ukrainë. Veprimi i tyre u kritikua nga kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e cila në një reagim për mediat vendase shprehu hapur skepticizmin e saj.
“Jam shumë skeptike ndaj kësaj nisme të pavarur nga Norvegjia dhe Finlanda. Nuk u koordinua me pjesën tjetër të nesh. Vërtet nuk e kuptoj se çfarë mendojnë këto dy vende se mund të arrijnë në këtë mënyrë”, tha Frederiksen për TV 2 të Danimarkës.
Siç shkruan Reuters, telefonata e Presidentit finlandez Alexander Stubb dhe Kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre ishte një përpjekje për të ndikuar procesin diplomatik në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump ka ndryshuar qëndrimin në favor të Rusisë dhe marrëdhëniet e SHBA-ve me Ukrainën kanë arritur pikën më të ulët në 18 muaj.
Dy liderët nordikë folën me telefon me Putinin dhe më pas me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, sipas një këshilltari të Zelenskyy-t.
“Diskutimi (me Putinin) ishte i hapur dhe i thelluar. Ne jemi vende fqinje me Rusinë. Rezultati i kësaj lufte do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë dhe atë evropiane më gjerë. Përfundimi i luftës kërkon diskutime të drejtpërdrejta”, tha Stubb në një deklaratë të përbashkët me Støre.
“Lufta sjell kosto të mëdha njerëzore dhe materiale. Vuajtjet dhe shkatërrimi do të ndikojnë breza të tërë. Në telefonatë theksuam rëndësinë e uljes së tensioneve”, theksoi kryeministri norvegjez.
Të dy liderët theksuan mbështetjen e fortë për Ukrainën, mbështetje e cila sipas tyre do të vazhdojë.
