• Rreth nesh
  • Kontakt
  • Puno me ne
  • Privatësia
AlbTimes
  • Politikë
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Kosovë
  • Dossier
  • Opinion
  • Jetë
  • Sport
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Kosovë
  • Dossier
  • Opinion
  • Jetë
  • Sport
No Result
View All Result
AlbTimes
No Result
View All Result
Home Botë

Nga studimet, te lëvdatat në TikTok: Fushata e heshtur e ndikimit kinez në Ballkan

04/02/2026
in Botë
Reading Time: 7 mins read
Nga studimet, te lëvdatat në TikTok: Fushata e heshtur e ndikimit kinez në Ballkan
76
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Programet arsimore të Pekinit po riformësojnë perceptimet te të rinjtë e Ballkanit, përderisa fuqia e butë shtrihet përtej infrastrukturës.

Përderisa investimet e mëdha të Kinës po vihen nën vëzhgim në mbarë Evropën, Pekini po i drejtohet një forme më të butë ndikimi në Ballkan: bursa, shkëmbime universitare dhe studentë të rinj që ndajnë jetën në Kinë me audiencat në vendet e tyre.

Kjo përfshin mundësi studimi të financuara nga Kina, e cila ofron bursa për shkollim, pagesa mujore dhe qasje në universitete me rritje të shpejtë. Shumë prej këtyre studentëve kanë ndarë, gjithashtu, përvojat e tyre në rrjetet sociale, ku kanë një numër të konsideruar ndjekësish, ndërsa të tjerë janë paraqitur në media ose në institucione zyrtare kineze.

“Aplikova për qejf [në kursin e gjuhës kineze], ngaqë ishte një gjuhë e re që nuk e kam mësuar asnjëherë”, i tha Radios Evropa e Lirë (REL), Era Kërnaja, një 24-vjeçare nga veriu i Shqipërisë që tani studion shkenca kompjuterike në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Kunming, në provincën Yunnan të Kinës.

“Nëse dikush do ta ma bënte një pyetje para tre vjetësh, unë do të thosha që Kina është komunizëm, vend i mbyllur, kaq. Por, tani më ka ndryshuar [mendimi] 360 shkallë”, tha ajo.

Derisa Pekini njihet më së shumti në rajon për projekte infrastrukturore në vlera miliarda dollarëshe, kredi dhe partneritete teknologjike, arsimi është shfaqur si një kanal më i butë përmes të cilit Kina po i formëson perceptimet.

Kjo është veçanërisht e theksuar te brezat më të rinj, për të cilët sondazhet tregojnë se janë më të hapur ndaj portretizimit që Pekini i bën vetes si një fuqi e mirë dhe e përgjegjshme.

“Doja t’ua ndryshoja mendimin që kanë shqiptarët për Kinën dhe t’ju tregoja që mos besoni në çdo gjë që shikoni”, tha Kërnaja, e cila që nga viti 2023 – kur nisi të jetonte në Kinë – ka filluar të postojë për përvojën e saj në llogarinë e saj në TikTok dhe tani ka më shumë se 8 mijë ndjekës.

Për Pekinin, thonë analistët, këto programe i shërbejnë një qëllimi afatgjatë: kultivimin e rrjeteve personale, narrativave të favorshme dhe profesionistëve të ardhshëm që kanë përvojë të drejtpërdrejtë nga Kina dhe janë të gatshëm ta ndajnë atë në vendet e tyre.

Kjo shtytje e fuqisë së butë përbën një plotësim të rëndësishëm të ndikimit politik dhe ekonomik në rritje të Kinës në Ballkan dhe mund të sjellë audienca më të hapura ndaj përpjekjeve të Kinës për të zgjeruar shtrirjen e saj ekonomike dhe për t’i shtyrë interesat e saj.

“Pekini ka interes të dërgojë sa më shumë studentë dhe shkencëtarë ndërkombëtarë në Kinë”, i tha REL-it Stefan Vlladisavljev, ekspert për rolin e Pekinit në Ballkan pranë Fondacionit BFPE, një institut kërkimor me seli në Beograd.

“Ajo [Kina] po përpiqet të pozicionohet si një ofruese e zhvillimit [dhe] të qenit e pranishme në Evropë është një aspekt shumë i rëndësishëm i shtrirjes globale”.

Përvoja e Kërnajës pasqyron një prirje më të gjerë që po zhvillohet në Ballkan, ku mundësitë arsimore kineze kanë ngjallur interes edhe në vende si Shqipëria dhe Kosova, të cilat mbeten fuqishëm pro perëndimore në orientimin e tyre politik, për shkak të mbështetjes historike amerikane për shtetësinë dhe demokracinë e tyre.

Shqipëria dhe Kosova – të lidhura nga lidhje të përbashkëta politike, gjuhësore dhe kulturore – janë vende më të vështira për depërtimin kinez në Ballkan.

Ndikimi rajonal i Pekinit është zgjeruar përgjithësisht nga Serbia, ku Beogradi ka joshur miliarda dollarë investime dhe ka ndërtuar lidhje të thella politike.

Serbia dallohet si partneri më i avancuar arsimor i Kinës në rajon, ku janë vendosur tri institute Konfuci që mbështesin mësimin e gjuhës kineze në dhjetëra shkolla. Në historinë 20-vjeçare të Institutit në Serbi, numri i pjesëmarrësve është rritur nga disa dhjetëra në disa qindra çdo vit dhe bashkëpunimi arsimor është forcuar nga disa marrëveshje të reja mes dy shteteve të nënshkruara në vitin 2018.

“Nëse Kina ka një bastion në Ballkanin Perëndimor, ajo ka edhe një bastion në Evropë”, tha Vlladisavljev.

Por, fuqia e butë kineze, kryesisht përmes programeve arsimore dhe përhapjes në rrjetet sociale, po shënon gjithashtu disa suksese të hershme edhe gjetkë në rajon.

Instituti Konfuci në Shqipëri, ku Kërnaja mësoi gjuhën kineze dhe mori udhëzime për të aplikuar për bursën e saj, është një nga kanalet më të dukshme të shkëmbimit arsimor brenda Universitetit të Tiranës.

Ai e përshkruan veten si një “institut arsimor joqeveritar, jofitimprurës”, i bashkorganizuar me Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit, që ofron mësime të gjuhës kineze dhe programe kulturore. Gjithashtu ofron bursa dhe ndihmon studentët të aplikojnë në nivele të ndryshme, përfshirë në universitete individuale ose në nivel federal dhe kombëtar brenda Kinës.

Këto institute ekzistojnë kudo në Ballkanin Perëndimor, përveç Kosovës, pavarësia e së cilës nuk njihet nga Kina dhe si rrjedhojë nuk ka përfaqësim zyrtar nga Pekini.

Institutet Konfuci janë nën vëzhgim gjithnjë e më të madh në të gjithë Evropën, derisa disa qeveri i kanë mbyllur ato për shkak të shqetësimeve lidhur me lirinë akademike dhe ndikimin politik.

Por, në pjesën më të madhe të Ballkanit, ato po shihen gjithnjë e më shumë nga të rinjtë si platforma të vlefshme fillestare për të ndjekur mundësi ekonomike dhe arsimore.

Ekspertët që ndjekin angazhimin kinez në rajon thonë se historitë dhe përvojat personale të ndara nga studentë vendas që studiojnë në Kinë kanë ndikim dhe duket se po ndjekin një model të kopjuar nga vende të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

“Kina po merr një faqe nga libri i vendit që e ka bërë më së miri fuqinë e butë – Shtetet e Bashkuara”, tha Vlladisavljev.

Bursa, shkëmbime dhe të dhëna të kufizuara

Angazhimi arsimor i Kinës në Ballkan ndërtohet mbi një mozaik programesh: bursa të Qeverisë kineze, grante të lidhura me institutet Konfuci, marrëveshje në nivel universitetesh dhe kurse trajnimi afatshkurtra.

Meqë programet ndryshojnë shumë sipas vendit dhe vitit — dhe meqë institucionet kineze dhe ato ballkanike nuk publikojnë të dhëna gjithëpërfshirëse — nuk ka një regjistër të qartë publik që të tregojë se sa studentë ballkanikë kanë studiuar në Kinë ndër vite.

Radio Evropa e Lirë gjeti se disa studentë shqiptarë që studiojnë në Kinë janë shfaqur gjithashtu në mediat shtetërore kineze, përfshirë Radio Kina Ndërkombëtare (CRI), që është botimi shqip i transmetuesit kryesor shtetëror kinez (CGTN), ku kanë ndarë rrëfime shumë pozitive për përvojat e tyre.

Sondazhet e opinionit publik në Shqipëri, përfshirë Barometrin e Sigurisë së Shqipërisë, tregojnë se pikëpamjet ndaj Kinës mbeten kryesisht neutrale, megjithëse perceptimet pozitive janë rritur lehtë vitet e fundit.

Ndërkohë, pavarësisht mungesës së bashkëpunimit institucional në Kosovë, studentë individualë – shpesh nga diaspora e shpërndarë në Evropë dhe Amerikën e Veriut – kanë gjetur rrugën drejt Kinës dhe ndajnë përvojat e tyre me popullsinë e re në vend.

Vlera Kelmendi, e lindur në Kosovë dhe e migruar në Norvegji, i tha televizionit lokal kosovar ATV, në një intervistë në vitin 2025, se zgjodhi Kinën nga kureshtja, duke përshkruar një përvojë shumë pozitive atje.

Kelmendi, e cila refuzoi të fliste për REL-in, dokumenton jetën e saj në Kinë në llogarinë e saj publike në TikTok me më shumë se 16 mijë ndjekës, duke arritur audienca në Kosovë, ku opinioni publik ndaj Kinës mbetet kryesisht negativ.

Në anën tjetër, ndonëse nuk ka kurse zyrtare kineze në Kosovë, zyrtarët në Institutin Konfuci në Tiranë thanë se kanë vërejtur interes në rritje nga studentët e Kosovës.

“Do të donim shumë të shihnim studentë nga Kosova që të mësojnë gjuhën kineze”, i tha Radios Evropa e Lirë, Zheng Baoguo, drejtori i Institutit Konfuci në Tiranë.

“Do të përpiqemi maksimalisht të krijojmë mundësi për ta, nëse ata janë të gatshëm.”

Kur studimi jashtë vendit bëhet komunikim digjital

Më pak se dy orë larg Kosovës, Kadir Ismajli, një student 26-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, pati një rrugë shumë më të drejtpërdrejtë drejt Kinës.

Ndërsa fillimisht po kërkonte të studionte diku tjetër, studenti me nacionalitet shqiptar tha se mori një bursë shtetërore kineze për një diplomë master në provincën Yunnan, ku mori ndihmë edhe nga ambasada në procesin e aplikimit.

Ashtu si të tjerët, Ismajli ka ndërtuar një numër ndjekësish në TikTok me më shumë se 31 mijë persona, ku veç tjerash, poston edhe për jetën e tij në Kinë.

“E fillova TikTok-un për biznes, por kur shoh diçka interesante këtu, e postoj”, tha ai.

“Në shtëpi njerëzit më thonë se nuk e kemi ditur si ishte në të vërtetë Kina”.

Gjatë dekadës së fundit, rreth 100 studentë maqedonas kanë studiuar në Kinë përmes programeve gjuhësore dhe programeve të plota të studimit.

Një studim mbi ndikimin kinez në Maqedoninë e Veriut, i kryer nga organizata Estima me seli në Shkup, zbuloi se “perceptimi i reputacionit të Kinës në Maqedoninë e Veriut është një tablo e përzier që ka tendencë të jetë më pozitive te njerëzit që kanë pasur përvojë dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë me Kinën dhe aktorët kinezë”.

Sipas të dhënave të Estima-s nga viti 2005, numri i bursave kineze për studentët e Maqedonisë së Veriut ka qenë në rritje.

Programet e edukimit të gjuhës kineze po depërtojnë gjithashtu edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Mali i Zi ka pasur një institut Konfuci që nga viti 2015 dhe ka dërguar më shumë se 100 studentë në Kinë gjatë kësaj periudhe, sipas një raporti nga Qendra për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA).

Në Bosnje-Hercegovinë ekziston një marrëveshje formale për shkëmbime arsimore me Kinën dhe programet e financuara nga Kina vazhdojnë të rriten, veçanërisht përmes Universitetit të Sarajevës Lindore, ku më shumë se 170 studentë kanë marrë pjesë në programe shkëmbimi në Kinë.

Mes këtij grupi është edhe Ana Jasarevic, një 23-vjeçare që studionte në departamentin e gjuhës kineze të Universitetit të Sarajevës Lindore.

Ajo kaloi vitin e kaluar në Universitetin e Vuhanit me disa kolegë të tjerë nga fakulteti.

“Kur mbërritëm, ishte pak tronditje kulturore sepse është krejtësisht ndryshe”, tha ajo.

Pas diplomimit, ajo tani thotë se planifikon të regjistrohet në një program të nivelit master në Kinë.

“Më pëlqeu atje, megjithëse e kuptoj që shumë njerëz nuk e pëlqejnë mënyrën se si funksionojnë”, tha ajo. “Kam qenë në shumë qytete, kam udhëtuar nëpër vend dhe jam ndier e sigurt kudo”./rel

Stay Connected test

  • 23.9k Followers
  • 99 Subscribers
  • Trending
  • Comments
  • Latest
Raporti sekret i Maltës: Arben Ahmetaj luajti 93 mijë euro në kazino me skemë tipike pastrimi parash

Raporti sekret i Maltës: Arben Ahmetaj luajti 93 mijë euro në kazino me skemë tipike pastrimi parash

23/01/2026
Alda Klosi e 500 mijë eurove gjen punë elitare, shefi vijon shërbimin ndaj Berishës

Alda Klosi e 500 mijë eurove gjen punë elitare, shefi vijon shërbimin ndaj Berishës

08/01/2026
Kreshnik Tërnova, hajduti delirant i KPP bashkëpunëtor në dosjen AKSHI

Kreshnik Tërnova, hajduti delirant i KPP bashkëpunëtor në dosjen AKSHI

27/01/2026
SHBA, sinjal të fortë për investimet amerikane: Pas certifikimit të CWP nga Balluku, VanHorn në Gjykatën Kushtetuese

SHBA, sinjal të fortë për investimet amerikane: Pas certifikimit të CWP nga Balluku, VanHorn në Gjykatën Kushtetuese

12/01/2026

Unreal moments of the familiar cities

Not even in public beta, iOS 10 has already been jailbroken

Survey shows developers really dislike the Mac App Store, and for good reasons

Not even in public beta, iOS 10 has already been jailbroken

Eight Hacks to Slash Medication Costs

Premium perfume special ingredients

Lufta për fronin në Çeçeni: Kush mund të jetë pasardhësi i Kadyrovit?

Lufta për fronin në Çeçeni: Kush mund të jetë pasardhësi i Kadyrovit?

04/02/2026
Rreshje shiu intensive gjatë 24 orëve, IGJEO: Qarqet e prekura, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër

Rreshje shiu intensive gjatë 24 orëve, IGJEO: Qarqet e prekura, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër

04/02/2026
Iu bashkuan gjyqtarëve për pagat, Rama replikon me prokurorët: Arrestet pa gjyqe na kanë njollosur botërisht

Iu bashkuan gjyqtarëve për pagat, Rama replikon me prokurorët: Arrestet pa gjyqe na kanë njollosur botërisht

04/02/2026
Pas publikimit të dokumenteve të reja të dosjes Epstein, Mbreti përzë vëllain nga Londra

Pas publikimit të dokumenteve të reja të dosjes Epstein, Mbreti përzë vëllain nga Londra

04/02/2026

Recent News

Lufta për fronin në Çeçeni: Kush mund të jetë pasardhësi i Kadyrovit?

Lufta për fronin në Çeçeni: Kush mund të jetë pasardhësi i Kadyrovit?

04/02/2026
Rreshje shiu intensive gjatë 24 orëve, IGJEO: Qarqet e prekura, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër

Rreshje shiu intensive gjatë 24 orëve, IGJEO: Qarqet e prekura, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër

04/02/2026
Iu bashkuan gjyqtarëve për pagat, Rama replikon me prokurorët: Arrestet pa gjyqe na kanë njollosur botërisht

Iu bashkuan gjyqtarëve për pagat, Rama replikon me prokurorët: Arrestet pa gjyqe na kanë njollosur botërisht

04/02/2026
Pas publikimit të dokumenteve të reja të dosjes Epstein, Mbreti përzë vëllain nga Londra

Pas publikimit të dokumenteve të reja të dosjes Epstein, Mbreti përzë vëllain nga Londra

04/02/2026
AlbTimes

Të tjera

  • Rreth nesh
  • Kontakt
  • Puno me ne
  • Privatësia

Na ndiqni

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Kosovë
  • Dossier
  • Opinion
  • Jetë
  • Sport