Reshjet e shiut dhe të dëborës kanë shkaktuar problematika në Qarkun e Kukësit, ku situata më shqetësuese paraqitet në bashkinë e Tropojës.
Një pjesë e bazamentit të rrugës në segmentin Bajram Curri-Cernicë është shembur, duke detyruar autoritetet të bllokojnë qarkullimin për shkak të rrezikut për drejtuesit e automjeteve.
Sipas informacionit të raportuar nga strukturat e emergjencave civile, deri në orën 08:30 të datës 24 nëntor, në të gjithë territorin e qarkut gjatë ditës së djeshme ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa gjatë natës janë regjistruar reshje të dobëta dëbore në lartësitë mbi 700 metra.
Problematika më serioze është konstatuar në kilometrin 2+680 të aksit Bajram Curri–Cernicë, ku është shembur bazamenti i rrugës. Pas vlerësimit teknik, është konstatuar rrezik për trupin e rrugës dhe sigurinë e përdoruesve të saj.
Për këtë arsye, është vendosur bllokimi i qarkullimit në këtë segment, ndërsa Policia e Tropojës ka qenë e pranishme në terren për zbatimin e masës. Lëvizja e automjeteve është devijuar në aksin alternativ Sopot-Ura e Bujanit. Ndërkohë, subjektet kontraktore vijojnë punën për pastrimin e rrugëve nacionale nga gurët, inertet dhe materialet e sjella nga reshjet, me qëllim mbajtjen e tyre funksionale.
Sipas raportimit zyrtar, të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme, me përjashtim të segmentit Bajram Curri–Cernicë në bashkinë e Tropojës. Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportohen problematika të tjera të rëndësishme, informon TCH.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, i gjithë qarku furnizohet me energji, me përjashtim të Njësive Administrative Mamëz dhe Surroj, si dhe 16 abonentëve në fshatin Çerem, në Njësinë Administrative Margegaj të bashkisë Tropojë. Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.
Autoritetet dhe subjektet përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet në terren për normalizimin e problematikave të krijuara nga kushtet atmosferike.










