Ka nisur me debate seanca e sotme në Kuvend, teksa Tomor Alizoti ka kundërshtuar nga foltorja e Kuvendit aktin normativ nr. 5, datë 28.10.2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për tubimet”, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të kufizuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Gjatë fjalës së tij, Alizoti deklaroi se akti normativ bie ndesh me parimet e demokracisë dhe të drejtën themelore të qytetarëve për të protestuar. Sipas tij, në Shqipëri ka shumë arsye që qytetarët të dalin në protesta, ndërsa qeveria po përdor mekanizma juridikë për t’i penguar.
“Si mund t’i ndaloni qytetarët me një akt normativ të protestojnë? Çfarë ka qytetari në demokraci më të shenjtë se protestën? Çfarë mund t’i thoni një qytetari që s’ka asgjë në jetën e tij, as punë, as arsim, as dinjitet, dhe ju i bëni akt normativ për të mos protestuar?”, u shpreh deputeti demokrat.
Alizoti akuzoi qeverinë se ka frikë nga protestat dhe se po e orienton vendin drejt një shteti policor, duke vënë në dukje rolin e policisë në ndryshimet e propozuara në ligj. Deputeti demokrat tha se kjo situatë i kujton kohën e sekretarëve të partisë të diktaturës.
Mirëpo në replikën e tij nuk kanë munguar sulmet e Taulant Ballës ndaj Sali Berishës.
Duke iu përgjigjur Alizotit, kreu i Grupit të PS tha se i vetmi sekretar partie në sallë sot është kryetar i Partisë Demokratike.










