Lista Studentore në Serbi ka nisur përgatitjet dhe bisedimet për formimin e qeverisë së re, pas fitores në zgjedhje që i dha fund dominimit politik 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiçit. Sfida e radhës për lëvizjen është kthimi i fitores elektorale në ndryshime konkrete në institucionet e vendit.
Sipas projeksioneve të rezultateve, Lista Studentore ka siguruar 53 për qind të votave, ose 141 mandate në parlamentin me 250 vende, ndërsa Partia Progresive Serbe e Vuçiçit ka marrë 39 për qind, duke mbetur në pakicë.
Përfaqësues të lëvizjes kanë bërë të ditur se prioritetet e qeverisë së re do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe rikthimi i shtetit të së drejtës. Në program parashikohen institucione më të pavarura, depolitizimi i gjyqësorit dhe kontroll më i madh mbi kontratat publike dhe shpenzimin e fondeve shtetërore.
Sa i përket politikës së brendshme, prioritetet kryesore janë lufta kundër korrupsionit dhe rivendosja e shtetit të së drejtës. Ne duhet ta rimarrim shtetin e kapur nga duart e atyre që e kanë uzurpuar dhe e kanë zhytur në kriminalitet. Na duhet një vend ku mund të ndërtojmë një Serbi të lirisë dhe drejtësisë, ku kushdo që ka shkelur ligjin të përballet me pasojat.
Sa i përket rajonit dhe politikës së jashtme, Lista Studentore për momentin ka një prioritet….”Mendoj se thelbësore është të rrëzohet miti dhe iluzioni i një lloj ‘karteli ballkanik’ të liderëve të korruptuar, të cilët publikisht përplasen me njëri-tjetrin dhe nxisin urrejtje mes popujve, por në prapaskenë bashkëpunojnë dhe bëjnë biznes së bashku.”
Megjithatë, mbeten pikëpyetje se kush do ta drejtojë qeverinë dhe si do të funksionojë një lëvizje që është organizuar mbi vendimmarrjen kolektive, pa një lider të vetëm dhe pa përvojë në qeverisje. Figurat kryesore të Listës Studentore janë Ilija Srdanoviq, kardiolog që drejtoi listën e kandidatëve; Dejan Shoshkiq, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Serbisë; dhe Radomir Saiçiç, profesor i kimisë në Universitetin e Beogradit, i cili foli në emër të lëvizjes pas fitores në zgjedhje.
Një tjetër sfidë do të jetë reformimi i institucioneve, ku një pjesë e strukturave drejtuese janë lidhur prej vitesh me pushtetin e deritanishëm. Sipas afateve kushtetuese, parlamenti i ri duhet të mblidhet brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve, ndërsa qeveria duhet të formohet brenda 90 ditëve nga konstituimi i tij.
