Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka bërë kërkesë Sekretariatit të Partisë Socialiste dhe SPAK-ut, që të marrë pjesë në Asamblenë e PS-së që zhvillohet të shtunën, më 14 nëntor. Ai kërkon që të jetë prezent fizikisht ose përmes një video-konference.
Këtë zhvillim e komentoi Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Blendi Klosi, në një intervistë me gazetarin Besard Jacaj në Klan News.
I pyetur se çfarë përgjigje do kthente për Veliajn, Klosi u përgjigj se çështja do diskutohet në forume, por shtoi se problem mbetet paraburgimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Klosi shtoi se Partia Socialiste ka qenë ajo, që ka ngritur shqetësimin e paraburgimit si masë ekstreme të përdorur tej mase në Shqipëri, aq sa ngjan në këtë aspekt me vende si Rusia. Sipas tij, ngërçin e ka krijuar drejtësia.
“Jam njohur me atë letër dhe është një moment, që do e diskutojmë në forumet tona. Por problem mbetet raporti me paraburgimin e Kryetarit të bashkisë së Tiranës, të zgjedhur me votë. Hetimet vazhdojnë dhe ne paraburgimin e kemi kundërshtuar që ditën e parë. Ne e kemi kundërshtuar këtë situatë.
Ne kemi bërë gjithçka që të kundërshtojmë masën e paraburgimit, sepse jemi më keq se Rusia për masën e paraburgimit, gjendemi në situatë absurde. Drejtësia ka marrë atë vendim që ka marrë, pavarësisht se ne e kemi kundërshtuar. Problemi është paraburgimi i Veliajt. Nëse organet e drejtësisë marrin një vendim, do ta shqyrtojmë, sepse ngërçin e ka krijuar drejtësia”, tha Klosi.
I pyetur për akuzat e Veliajt për transferimin në burgun e Fierit dhe vizitën e ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, deklaroi se nuk mund të merret me individë të caktuar.
Sipas Klosit, PS është një parti politike, që ka për detyrë të qeverisë sa më mirë dhe të punojë për integrimin europian të Shqipërisë.
“Jam personi i gabuar që të përgjigjem për këtë problem. Nuk mund të flas dot për individë të caktuar. PS funksionon me forume dhe ka raportin e saj me qytetarët. Detyra jonë është që të qeverisim, të miratojmë buxhetin 10 miliardë euro, të integrojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ne duam të përfundojmë reformat”, u shpreh Klosi.
