Italia ngre alarmin për luftën hibride, hakerat prorusë publikojnë të dhënat private të ministrit të Jashtëm, kryediplomatit Tajani
Hakerat prorusë të grupit Noname kanë vënë në shënjestër disa personalitete italiane dhe evropiane, mes tyre edhe ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani. Të dhënat personale të zv.kryeministrit dhe familjarëve të tij janë publikuar në rrjetin e errët të internetit.
Tajani e ka cilësuar këtë një formë të luftës hibride, që sipas tij, sulmet synojnë të ndikojnë në opinionin publik dhe të përçajnë evropianët përmes dezinformimit, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme.
I pyetur nëse do të thërrasë ambasadorin rus, ministri tha se duhet treguar kujdes derisa të ketë prova zyrtare, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës dhe policinë.
Kryediplomati italian bëri të ditur se çështja do të ngrihet edhe në takimin e ardhshëm të ministrave të Jashtëm të G7-s, duke thënë se i ka kërkuar homologut francez që të diskutohet mbi kërcënimin kibernetik. Ndërkohë, ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka thirrur më 10 nëntor, një mbledhje të Komitetit Kombëtar për Rendin dhe Sigurinë Publike, ku do të shqyrtohen rreziqet që lidhen me sulmet kibernetike.
Prej dy javësh, hakerat kishin ofruar shpërblime financiare për sigurimin e numrave të telefonit, adresave elektronike dhe informacioneve private të personave që i konsiderojnë kundërshtarë të Federatës Ruse.
Në listën e tyre janë gjithsej 18 persona, përfshirë edhe presidentin e Eurojust-it, Michael Schmid di dhe zyrtarë të lartë të drejtësisë dhe policisë gjermane. Për sulmin po hetojnë autoritetet në Romë, ndërsa të dhënat e publikuara vijojnë të jenë online në rrjetin e errët të intenetit, pasi aktualisht nuk është e mundur teknikisht heqja e tyre.
