Rasti i rëndë i vrasjes së 45-vjeçares shqiptare Gentiana Kopili në Itali, tronditi vendin në qershor të vitit 2025, kur ajo u vra brutalisht nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra.
Ngjarja ndodhi më 14 qershor, në Tolentino, ku 56-vjeçari e sulmoi Gentianën në mes të rrugës, duke e goditur 22 herë me thikë. Pasi e la të pajetë, ai u ul në një stol përballë trupit të saj dhe priti mbërritjen e karabinierëve, të cilëve më pas u pranoi krimin.
Një vit e pesë muaj pas ngjarjes, ka nisur procesi gjyqësor ndaj Hudhrës në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Macerata. Mediat italiane shkruajnë se djemtë e çiftit janë paraqitur si palë civile kundër babait të tyre. I pandehuri nuk ishte i pranishëm në seancën e parë, ndërsa njëri prej djemve, i cili kishte shkuar në gjykatë me shpresën për ta takuar, u largua i zhgënjyer pasi mësoi se babai nuk ndodhej aty.
Seanca e radhës është caktuar më 26 nëntor, ku pritet të dëshmojnë dy djemtë, Samuel dhe Mario, si dhe vëllai i viktimës. Vëmendja e procesit do të përqendrohet te gjendja mendore e Hudhrës dhe aftësia e tij për të kuptuar e kontrolluar veprimet në momentin e vrasjes. Sipas ekspertizës psikiatrike, kjo aftësi ishte dobësuar ndjeshëm, por nuk ishte përjashtuar plotësisht.
Ndërkohë, gjatë hetimeve është zbuluar se Gentiana e kishte denoncuar më herët ish-bashkëshortin për keqtrajtim, ndërsa ai kishte tentuar ta vriste edhe dy ose tri herë të tjera. Hudhra kishte deklaruar se e kishte kryer krimin për të mbrojtur fëmijët e tij, pasi ishte i bindur se ish-bashkëshortja dëshironte ta helmonte.
