Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të kokainës, me lidhje në disa vende të Evropës dhe kontakte të drejtpërdrejta me kartelet kolumbiane, është vënë në qendër të hetimeve të autoriteteve italiane. Në krye të një prej këtyre rrjeteve përmendet shqiptari Eneo Carka, i njohur edhe me nofkën “Napoleoni”, i cili kërkohet nga autoritetet e disa shteteve dhe dyshohet se ka organizuar transportimin e sasive të mëdha të drogës në disa vende.
Sipas një artikulli të publikuar nga gazeta italiane Corriere della Sera, 44-vjeçari Carka, ka krijuar një rrjet kontaktesh që shtrihet në Belgjikë, Britaninë e Madhe dhe Itali, ndërsa emri i tij është lidhur me dërgesa të mëdha kokaine në këto vende. Për komunikimet me bashkëpunëtorët përdor pajisje dhe sisteme të sofistikuara, të cilat e bëjnë më të vështirë përgjimin e bisedave.
Në Milano, sipas hetimeve të Drejtorisë së Antimafias, Carka mbështetej nga një bashkëkombës 46-vjeçar, që banonte në zonën e Gallarateses. Ky person dyshohet se ka pasur rol si në organizimin e mbërritjes së ngarkesave të kokainës, ashtu edhe në kryerjen e pagesave për drogën.
Artikulli thekson se Eneo Carka ka krijuar lidhje edhe me drejtues të rëndësishëm të karteleve kolumbiane, mes tyre Otoniel, ish-kreu i Kartelit të Gjirit, një prej organizatave më të fuqishme të trafikut të kokainës. Këto kontakte e kanë bërë atë një figurë të kërkuar në botën e krimit, por edhe një person me ndikim në rrjetet e trafikut të drogës në Evropë.
Ndërkohë, një tjetër emër i rëndësishëm i botës kriminale në rajon është Sheval Muaremi, 49 vjeç, i konsideruar si drejtuesi kryesor i klanit të Sarajit, zonë pranë Shkupit në Maqedoninë e Veriut.
Ai është shpallur në kërkim për akuza që lidhen me vrasje, organizatë kriminale dhe trafikimin e sasive të mëdha të kokainës. Prej rreth dy vitesh, Muaremi jeton në Dubai, nga ku shfaqet edhe në rrjetet sociale, ndërsa dyshohet se vazhdon të drejtojë aktivitetet kriminale nga distanca.
Sipas artikullit, mungesa e marrëveshjeve dypalëshe mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe disa shteteve evropiane për ekstradimin e të kërkuarve ka ndihmuar persona të tillë të qëndrojnë në Dubai, pavarësisht urdhër-arresteve ndaj tyre.
Në këtë qytet kishte jetuar për një kohë të gjatë edhe Denis Matoshi, një tjetër shtetas shqiptar i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash. Rreth një muaj më parë, ai iu dorëzua autoriteteve belge pas kërkesës së këtij shteti për ekstradimin e tij.
Ish-bashkëshortja e Matoshit, Suada, e cila vite më parë është shpallur “Miss Shqipëria” dhe ka punuar në fushën e spektaklit, ka mbetur në Dubai pas ndarjes së çiftit. Sipas autoriteteve belge, ajo zotëron pasuri të paluajtshme në Emirate me vlerë rreth 17 milionë euro. Mediat raportojnë se ajo zhvillon një jetë luksoze dhe organizon festa të shtrenjta në shoqërinë e partnerit të saj të ri.
Xhelal Neziri, drejtues i Institutit Ballkanik për Media dhe Demokraci në Tetovë, vëren se në disa raste krijohet përshtypja se grupet kriminale kanë ndikim aq të madh, saqë institucionet shtetërore e kanë të vështirë t’i kontrollojnë.
Sipas analizës së Corriere della Sera, këto organizata kanë treguar aftësi për t’u riorganizuar dhe për të vijuar aktivitetin edhe pas arrestimeve dhe hetimeve, duke zgjeruar lidhjet e tyre përtej kufijve kombëtarë. Ndërsa Dubai përmendet si një prej destinacioneve ku disa prej personave të kërkuar kanë gjetur strehim dhe vijojnë të menaxhojnë pasuritë apo aktivitetet e tyre nga distanca.
