Në kuadër të operacionit të koduar “The Ëanted”, autoritetet shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë kanë vendosur në pranga një 26-vjeccar pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e një shqiptari në Selanik.
Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional mes Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe Interpolit të Athinës, është arrestuar provizorisht në Greqi shtetasi R. T., 26 vjeç, i lindur në Korçë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, i dyshuari është kapur me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Ai dyshohet për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Selanik të Greqisë, në vitin 2020.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, në vitin 2021 Gjykata e Korçës i ka caktuar R. T. masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.
Hetimet tregojnë se në vitin 2020, në Selanik, R. T., së bashku me dy shtetas të tjerë, dyshohet se kanë vrarë shtetasin shqiptar S. D. Viktimën fillimisht e kanë dhunuar dhe më pas e kanë goditur me mjete prerëse.
Familjarët e të vrarit kanë paraqitur kallëzim në Korçë për ngjarjen e ndodhur jashtë vendit. Veprimet hetimore janë koordinuar që në fillim me autoritetet greke.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin e ngushtë me Interpol Athinën për të finalizuar procedurën e ekstradimit të 26-vjeçarit në Shqipëri, ku ai do të përballet me drejtësinë për veprën e dyshuar.
