Christa Pike, e dënuara me vdekje në shtetin amerikan të Tennessee-t, ka publikuar deklaratën e saj të parë pas ekzekutimit të dështuar në shtator, ku mbijetoi pas dy injeksioneve vdekjeprurëse.
50-vjeçarja, e cila u rikthye në burg pas daljes nga spitali, thotë se vijon të vuajë dhimbje të forta fizike dhe psikologjike.
“Nuk ka kaluar asnjë moment që nga ajo natë pa qenë në dhimbje. Më dhemb trupi, krahët, duart dhe fyti. Ende e kam të vështirë të flas. Dhe dhimbja nuk është vetëm fizike. Kam dhimbje mendore dhe shpirtërore”, deklaroi Pike.
Ajo u largua nga spitali në fund të muajit të kaluar, pasi mbijetoi pas dy injeksioneve me pentobarbital, një substancë që përdoret në ekzekutimet me injeksion vdekjeprurës. Pas procedurës së dështuar, Pike kishte mbetur në gjendje kritike shëndetësore.
Avokatët e saj kanë bërë të ditur më herët se ajo kishte vuajtur nga pneumonia, kishte ënjtje të konsiderueshme në krahë dhe kishte vështirësi në gëlltitje.
Pavarësisht përmirësimit të gjendjes, Pike thotë se rikuperimi nuk do të thotë se gjithçka është kthyer në normalitet.
“Po rikuperohem dhe e di se po bëhem më e fortë. Por shërimi nuk do të thotë se jam mirë”, u shpreh ajo.
Christa Pike konsiderohet si personi i vetëm që ka mbijetuar pas një tentative ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës. Ajo ishte 18 vjeç kur, së bashku me të dashurin e atëhershëm, Tadaryl Shipp, torturoi dhe vrau 19-vjeçaren Colleen Slemmer në vitin 1995. Të tre ishin njohur në një kamp trajnimi profesional për të rinjtë nga familje me të ardhura të ulëta.
Shipp nuk u dënua me vdekje, pasi në kohën e kryerjes së krimit nuk kishte mbushur moshën madhore sipas ligjit. Ai vijon të vuajë dënimin me burg.
Pas dështimit të ekzekutimit, guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, pezulloi të gjitha ekzekutimet për pjesën e mbetur të vitit dhe urdhëroi një hetim të pavarur për të përcaktuar se çfarë ndodhi gjatë procedurës.
I pyetur nga gazetarët për mundësinë e një tentative të dytë ekzekutimi, Lee u shpreh se pret që dënimi i saj të mbetet i njëjtë, përveç rastit kur gjykatat vendosin ndryshe.
Ndërkohë, Departamenti i Korrigjimit në Tennessee nuk ka dhënë ende një shpjegim për arsyet e dështimit të procedurës, por ka mbrojtur metodën e përdorur.
