Më 17–21 maj 2026, kryeministri Edi Rama ishte në Korenë e Jugut, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe një delegacion qeveritar, në një vizitë të paraqitur zyrtarisht si pjesëmarrje në një konferencë aziatike për zgjerimin e partneritetit në teknologji dhe inovacion.
Përveç një takimi 30-minutësh të Edi Ramës me homologun koreano-jugor Kim Min-seok dhe prezantimit të ministres “Diella”, nuk u bë publik asnjë detaj tjetër mbi këtë vizitë katërditore. Nuk u njoftua për marrëveshje ndërqeveritare, memorandumë bashkëpunimi apo kontrata mes kompanive të dy vendeve.
Por objekti real i kësaj vizite, sipas një informacioni të mbërritur në Pamfleti, rezulton të ketë qenë krejt tjetër.
Burime të informuara pretendojnë se pjesëmarrja e Edi Ramës në këtë konferencë private, e organizuar çdo vit në Korenë e Jugut, është mundësuar përmes lobimit të biznesmenit Agron Papuli, Konsull Nderi i Koresë së Jugut në Shqipëri dhe një prej njerëzve të afërt me kryeministrin.
Ky lobim, sipas të njëjtave burime, është realizuar në bashkëpunim me biznesmenin koreano-jugor Dae Yeol Ohm, pronar i kompanisë “YuraTech Co., Ltd”, i cili prej vitesh ka interesa biznesi në Shqipëri dhe ka përfituar nga vendime të personalizuara të qeverisë.

Me Vendimin nr. 14/3, datë 12 shkurt 2019, të Komitetit të Investimeve Strategjike dhe më pas me Vendimin nr. 70, datë 13 shkurt 2019, qeveria shqiptare i dha kompanisë “Yura Corporation Albania” rreth 49 mijë e 347 m² truall dhe objekte të Albpetrolit, me kontratë simbolike 1 euro dhe me afat 60-vjeçar, duke i akorduar edhe statusin “Investitor Strategjik”.

Sipas burimeve, kjo sipërfaqe u shkëput nga asetet e Albpetrolit pas ndërhyrjeve dhe vendimeve të qeverisë.
Lidhjet mes biznesmenit korean dhe Agron Papulit janë të njohura në sektorin e tregtimit të automjeteve, ndërsa lobimi për vizitën e Edi Ramës në Korenë e Jugut dhe takimet e zhvilluara atje lidhen me interesa të reja ekonomike në Shqipëri.
Sipas informacionit të siguruar nga burime pranë Ministrisë së Financave, Edi Rama ka dhënë dakordësinë parimore që një konsorcium koreano-jugor dhe kinez të përfshihet në projekte të mëdha shtetërore në Fier.
Një prej tyre lidhet me Albpetrolin dhe asetet e tij, ndërsa projekti tjetër ka të bëjë me territorin e ish-Azotikut në Fier.
Sipas të njëjtave burime, territori i ish-Azotikut pritet të vihet në dispozicion të investimeve industriale për prodhim automjetesh, pjesësh këmbimi dhe aktivitete të tjera ekonomike.
Po sipas informacioneve që qarkullojnë, po shqyrtohen skema koncesionare afatgjata me kushte fiskale favorizuese, të justifikuara me hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Një javë pas kthimit të Edi Ramës nga Koreja e Jugut, sipas burimeve të Pamfletit, në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Ekonomisë janë ngritur grupe pune që po përgatisin dokumentacionin paraprak për projektet e reja.
Qeveria shqiptare nuk ka bërë ende publike asnjë prej këtyre planeve.
Po ashtu, nuk ka dhënë asnjë shpjegim për faktin që në takimin e paraqitur si zyrtar mes Edi Ramës dhe homologut koreano-jugor mungonte flamuri i shtetit shqiptar.
Një detaj që, sipas kritikëve të kësaj vizite, ngre pikëpyetje mbi natyrën reale të takimit dhe interesat që mund të jenë diskutuar gjatë qëndrimit të kryeministrit shqiptar në Korenë e Jugut.

