Pas rreth 4 orësh nga nisja e protestës, tensionet mes qytetarëve dhe policisë vijojnë të shtohen.
Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, e më pas marshuan drejt Kryeministrisë, aty ku nisën dhe tensionet. Fillimisht ata prishën kordonin rrethues që policia kishte krijuar me gardh metalik në zonën e pedonales, e më pas hodhën gurë dhe bomba molotovi drejt kryeministrisë.

Policia është përgjigjur duke hedhur ujë, gaz lotsjellës, e po ashtu ka gjuajtur me plumba gome.

Pasi janë shpërndarë, disa qytetarë kanë sulmuar godinën e Teatrit të Kukullave, pranë selisë së Partisë Socialiste.

Deri më tani, raportohet për 3 të shoqëruar, ndërsa ka patur të lënduar qytetarë, policë dhe gazetarë.
Ndërkohë, rrugët e zonës së qendrës janë të mbuluara nga gazi lotsjellës dhe protestuesit janë shpërndarë në zona të ndryshme të Tiranës.










