Roberto Saviano, gazetari i njohur italian për investigimet mbi mafien dhe krimin e organizuar, ka folur për fuqinë dhe ndikimin e kartelit Jalisco Nueva Generación në Meksikë dhe rolin e udhëheqësit të tij, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.
Saviano shpjegon se si ky kartel është kthyer në një “shtet brenda shtetit” përmes prodhimit të fentanylit, korrupsionit dhe përdorimit të dhunës, për të imponuar rregullat e tij.
Intervista me Roberto Savianon:
Pyetje: Roberto Saviano, kush ishte Nemesio Oseguera Cervantes, i vrarë në një sulm të forcave të armatosura meksikane?
Saviano: “El Mencho” ishte një udhëheqës shumë i rëndësishëm. Ai ndryshoi mënyrën e operimit të kartelit duke kaluar nga drogërat tradicionale të opiumit te opioidet sintetike. Ideja e tij ishte të fokusohej te fentanyli. Fentanyli prodhohet në laborator dhe përbërësit kimikë vinin fillimisht nga Kina dhe më pas edhe nga India.
Pyetje: Sa e madhe ishte fuqia e El Mencho?
Saviano: Sipas DEA-s, grupi i tij mund të gjeneronte deri në 50 miliardë dollarë në vit. Ai udhëhiqte Kartelin Jalisco Nueva Generación, një simbol i “gjeneratës së re” të trafikut të drogës. Punësoi më shumë kimistë dhe forcoi më shumë kontrollin.
Pyetje: Si funksionon “anti-shteti” i narkos në Meksikë?
Saviano: Me këtë shumë parash mund të korruptosh këdo. “Anti-shteti” i narkos mund të zëvendësojë shtetin në territore të tëra: kontrollon ekonominë, sigurinë, punën, dhe konsensusin. Mesazhi është i qartë: “Paqja ekziston vetëm nëse e duam ne”.
Pyetje: Me arrestimin e “El Chapo”-s, gjërat ndryshuan?
Saviano: Ai ishte rival i El Mencho-s, kështu që Mencho mori më shumë hapësira, por strategjia mbeti e njëjtë. El Chapo e kishte toleruar sepse Mencho kishte eleminuar një kartel rival, Los Zetas, të njohur për dhunën ekstreme. Strategjia për fentanylin nuk ndryshoi.
Pyetje: Narkotrafikantët mund të shkaktojnë një kryengritje sociale?
Saviano: Po. Ka ndodhur edhe në vende të tjera. Në Meksikë, arrestimi i Ovidio Guzmán (djali i El Chapo-s) detyroi shtetin ta lirojë për të ndalur dhunën. Kryengritja shërben për të rinegociuar, jo për revolucion.
Pyetje: Sa janë të infiltruar në qeveri trafikantët?
Saviano: Me ato para, korruptohen të gjitha nivelet. Infiltrimi është struktural në territoret ku operojnë. Paguan, blen besnikëri dhe kur kjo mungon, reagon.
Pyetje: Qeveria mund ta ndalojë kryengritjen?
Saviano: Mund ta përmbajë, por ta shkatërrojë strukturalisht është tjetër gjë. Kryengritja është një mjet presioni.
Pyetje: Mund të bëjnë grusht shteti?
Saviano: Jo. Nuk duan pushtet formal. Duan që shteti të ekzistojë, por të negociojë me ta. Synimi është rinegociimi i ekuilibrave, jo zëvendësimi i qeverisë.
Pyetje: Trump ka pasur rol në këtë vrasje?
Saviano: Po, edhe pse roli i tij është jo krejtësisht i qartë. Ai ka ndërhyrë aty ku demokratët nuk kanë investuar kundër kartelit dhe synon të pengojë trafikun e fentanylit drejt SHBA-së.
Pyetje: Pse është kaq vendimtar fentanyli?
Saviano: Droga tradicionale jep eufori, por fetanyli jep “çaktivizim”. Në SHBA në 2024, vdekjet nga fentanyli ishin 70-80 mijë, më shumë se luftërat në Irak dhe Afganistan.
Pyetje: A do të funksiononte një ndërhyrje amerikane si në Venezuelë?
Saviano: Jo. Kartelët ndryshojnë aleancat dhe strategjitë. Ndërhyrja vetëm ushtarake nuk shkatërron sistemin ekonomik që i mban.
Pyetje: A ka rrezik për turistët në Meksikë?
Saviano: Po. “Blokadat narco” janë për të përhapur terror.











