Emisioni “MAT” në Klan Kosova ka publikuar dy materiale audio tronditëse që hedhin dritë mbi rastin tragjik të Arlinda Zekajt.
Kjo e fundit kishte frikë për sigurinë e saj dhe shqetësim të vazhdueshëm për djalin, teksa nuk ka ngurruar me denoncimet në Polici apo shkresat zyrtare ndaj Prokurorisë. Fatkeqësisht, asnjëra prej tyre nuk është marrë parasysh…
Në bisedat e siguruara nga gazetarja Blerta Ahmeti, e ndjera dëgjohet duke paralajmëruar se mund t’i ndodhte diçka e rëndë, ndërsa kërkonte dëshpërimisht të rikthehej në shtëpinë e saj dhe kundërshtonte praninë e familjarëve të ish-bashkëshortit.
“Edhe nëse më mbysin, këta do të mbajnë përgjegjësi”, dëgjohet duke thënë Arlinda në një prej bisedave me motrën e saj. Fjalë që, pas vrasjes së saj, marrin një peshë edhe më të rëndë dhe ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si u trajtuan sinjalet e saj të alarmit.
Në komunikimin tjetër, këtë herë me një efektiv të Policisë së Kosovës, Arlinda këmbëngul se nuk mund të shkonte në shtëpinë e saj, pasi aty ndodheshin persona që, sipas saj, nuk kishin të drejtë të qëndronin.
Përgjigjja e zyrtarit policor ishte se duhej t’i drejtohej gjykatës me padi civile për t’i larguar ata nga banesa.
Reagimi i saj ishte i menjëhershëm: Ky është dështim total!
Publikimi i këtyre bisedave rikthen në qendër të vëmendjes mënyrën se si institucionet iu përgjigjën thirrjeve të Arlindës për ndihmë, në një kohë kur ajo shprehte hapur frikën për jetën e saj.
Këto materiale ngrenë pikëpyetje të forta mbi (mos) reagimin e Policisë së Kosovës dhe mbi mundësinë që një ndërhyrje në kohë të kishte parandaluar tragjedinë.
49-vjeçarja u vra mbrëmjen e 25 tetorit, në një formë mjaft makabre. Ngjarja ndodhi në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi ajo ishte kthyer në shtëpi, e shoqëruar nga makina e policisë. Ish-kunati e saj i mori jetën duke e goditur me sëpatë, ndërsa ra në pranga dy ditë më vonë.
Duhet theksuar se po atë ditë, pak orë para se të vdiste, Arlinda kishte denoncuar (për të disatën herë) dhunë në familje.
“Nuk e ndjej veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime. Shteti ka pasur obligim dhe e ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime”, ka deklaruar ajo, referuar ish-bashkëshortit dhe familjarëve të tij.
“As ushtria nuk do të të heqë nga dora ime”
Për të kuptuar më qartë se si mori këto përmasa kjo histori, duhet të kthehemi pas në kohë, te martesa e Arlinda Zekajt dhe marrëdhënia me ish-bashkëshortin, Jeton Syla.
Në 13 vite sëbashku, ajo e kishte theksuar me dhjetëra herë se kishte përjetuar dhunë psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti, të cilin, sipas saj, e kishte raportuar edhe tek autoritetet amerikane.
Kjo pasi çifti kishin jetuar në Shtetet e Bashkuara për rreth 11 vite.
Mirëpo, në vitin 2024, Arlinda rikthehet në Kosovë bashkë me djalin e saj 10-vjeçar, ndërsa Jetoni vazhdon të punojë në Amerikë. Shtëpinë, që u kthye në ‘mollën e sherrit’, ata e kishin ndërtuar në një kohë që edhe pse jo zyrtarisht, thonin se i kishin dhënë fund martesës.
Arlinda kishte theksuar herë pas here se kishte marrë 9 mijë euro kredi, për të ndihmuar Jetonin. Në fund të vitit të shkuar, raportohen kërcënimet e para me vrasje.
“Do të të mbys, do të të tërheq zvarrë! As ushtria nuk do të të heqë nga dora ime“, ishin disa nga fjalët që, Jetoni i kishte thënë Arlindës. Përpos kësaj, ai ja kishte nxjerrë rrobat nga shtëpia dhe u kishte vënë flakën!
Më tej, nisin debatet lidhur me përkujdesjen e djalit, edhe pse çifti ende nuk ishin divorcuar. Janë me dhjetëra momente kur Arlinda drejtohet në institucionet përkatëse, si një nënë e dhunuar dhe e kërcënuar në mënyrë persistente për jetën e saj.
Letra drejtuar kryeprokurores, përtej anës formale, është tejet e dhimbshme.
“Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, ishte paralajmërimi i Arlindës, fjalë që sot tingëllojnë si një profeci rrëqethëse e një fundi të cilit i druhej e që rezultoi vërtet i tillë.