Dy tërmete kanë tronditur Bosnjë-Hercegovinën gjatë natës, duke zgjuar nga gjumi banorët e Sarajevës, Mostarit dhe zonave përreth.
Lëkundja e parë u ndje në orën 01:17, ndërsa e dyta u regjistrua rreth orës 04:35, në zonën e Blagajt dhe vendbanimeve pranë Mostarit. Sipas raportimeve të mediave vendase, tërmeti i parë u shoqërua me një goditje të fortë, e cila zgjati vetëm një deri në dy sekonda, por ishte mjaftueshëm intensive për të zgjuar shumë qytetarë. Sipas raportimeve tërmetet kanë qenë 2,5 të shkallës rihter.
Disa banorë e përshkruan lëkundjen si të lehtë, ndërsa të tjerë, veçanërisht ata që jetonin në katet e sipërme të ndërtesave, thanë se e ndjenë shumë më fort. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte edhe një zhurmë e fuqishme që, sipas dëshmive të qytetarëve, u dëgjua pak para ose gjatë lëkundjeve dhe ngjante me një shpërthim apo bubullimë.
Një banore tregoi se fillimisht kishte menduar se diçka kishte shpërthyer brenda banesës së saj. Deri në orët e mëngjesit, në faqen e Qendrës Sizmologjike Evropiano-Mesdhetare (EMSC) ishin regjistruar 296 raportime nga qytetarët që kishin ndjerë tërmetin në zonën e Sarajevës, ndërsa për lëkundjen pranë Mostarit ishin raportuar 16 raste.
