Diskutimi i projektbuxhetit 2027 në Komisionin e Ekonomisë është shoqëruar me debate mes deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të mazhorancës, ku në fokus kanë qenë konsultimi me grupet e interesit, taksat dhe kostot që pritet të përballojnë bizneset.
Deputeti i PD-së, Igli Cara, kritikoi mungesën e konsultimeve me përfaqësuesit e biznesit, duke përmendur kundërshtimet e Dhomës Amerikane dhe asaj Britanike të Tregtisë.
Nga ana tjetër, deputeti i PS-së, Erion Braçe, deklaroi se Kuvendi nuk ka detyrimin të thërrasë shoqatat, por të dëgjojë këdo që kërkon të paraqesë qëndrimin e tij.
Edhe deputeti demokrat Eno Bozdo ngriti shqetësime për mungesën e vlerësimit të ndikimit rregullator dhe konsultimeve me bizneset për disa prej projektligjeve të paketës fiskale, ndërsa kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, dhanë sqarimet e tyre për procedurën e konsultimit dhe shqyrtimit të projektbuxhetit.
Sakaq, mësohet se projektbuxheti do të kalohet për votim në Kuvend më datë 26 nëntor.
Igli Cara, deputet i PD: Nga ajo çfarë kam konstatuar, projektbuxheti më i kontestuar. Konsultimet para buxhetit duhet të ishin bërë, ka shumë dhoma që janë shprehur kundër, Dhoma Amerikane, Britanike etj. A nuk do të ishte mirë të dëgjonim këto biznese dhe të merrnim mendimet e tyre? Si të vazhdojmë debatin kur nuk dëgjojmë subjektet? Paratë s’janë të Ramës, janë të taksapaguesve.
Taksa e qarkullimit u vendos në kohën e PD-së, se donim që këtë taksë ta merrnim për litër konsumi dhe në 2015 është quajtur e drejtë. Ju thoni do të ulet se efekti është zero, se ju do ta merrni te taksa e automjeteve në DPSHTRR, e tha kryeministri juaj. Mirë është që të vendoset në kalendar që ne të thërrasim grupet e interesit për t’i dëgjuar.
Erion Braçe, deputet i PS: Procedura parlamentare, tradita është që nga prezantimi i buxhetit, më pas pyetjet. Kuvendi s’ka detyrim të thërrasë, ka detyrim të dëgjojë. Deri sot që flasim, asnjë shoqatë.
Nëse dikush kërkon të dëgjohet, janë të premte(t) bosh për të dëgjuar cilindo që dëshiron të dëgjohet. Ne që të thërrasim s’kemi pse. Që nga 1996 s’ka pasur që shoqatat e biznesit të jenë dakord.
Në të drejtën kushtetuese janë vendosur taksa. Të paguhem më pak apo më shumë? Për të mos i bërë dëm asaj që është e mira e përbashkët, që është e mira publike. Secili ka të drejtën të vijë të dëgjohet. Ka pasur qëndrime të ndryshme për dividendët dhe taksën e qarkullimit. Konteksti për dividendin ka pasur efekt prapaveprues. Në një akt që linte për të dëshiruar.
Te taksa e qarkullimit ka nja 5 vjet që është kërkuar që të hiqet për litër dhe të shkojë siç e ka Maqedonia. Gjithkush ka të drejtën të ndryshojë, por jo kaq shpejt.
Igli Cara, deputet i PD: Thashë, Braçe, që të dëgjojmë bizneset, jo t’i thërrasim. Di që grupet e interesit kanë kërkuar takime. Dhe znj. kryetare, buxheti i shqyrtuar nga KLSH ka ardhur ditën e premte. Mirë që ka ardhur për të parë dinamikën e 2025-s, të na shërbejë për 2027-n. Ta vendosim në kalendar.
Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit: S’e di sa e lexoni planin e të ardhurave afatmesme. Kemi përcaktuar një nga këshilltaret e Kuvendit. Dhe aty ne shohim ecurinë. Praktika sesi hartohet një buxhet ka filluar që në gusht. Neve të enjten miratuam Këshillin Fiskal që qëndronte si kërkesë e mirëqeverisjes.
Kur vijnë kërkesat nga shoqatat, ne i grumbullojmë dhe ia çojmë Ministrisë së Financave. Kur thërrasim në dëgjesë, i kemi bërë dhe vjet këtë procedurë, dhe bëmë disa ndryshime, nuk është eliminuar. Mua më ka ardhur mbrëmë kërkesa nga fasonët, do e kenë mundësinë.
Eno Bozdo, deputet i PD: Kam disa pyetje. Konsultimin me grupet e interesit e quaj të rëndësishëm. Në dokumentet e paraqitura, vlerësim të ndikimit rregullator për asnjë nga projektligjet. Duhet të paraqitet për çdo aktligjor. Për bizneset që do të përballen me kostot shtesë.
Nga 5 projektligje, vetëm për akcizat raportoni se keni mbledhur Këshillin Tatimor. Për 4 të tjera ju nuk keni raportuar asnjë konsultim të bërë me bizneset. Pyetjet dhe qëndrimet i kam nesër. Pres të shënonin që keni marrë apo jo opinione. Edhe biznesi i vogël dhe i madh ankohet. Procedura çalon rëndë.
Petrit Malaj: Përgjigjet do të merren në mënyrë shteruese dhe informacionin që kërkuat do jua përcjellim nesër.
