Pavarësisht dështimit të rëndë të sigurisë më 7 tetor 2023, luftërave që kanë tronditur Lindjen e Mesme dhe krizave të brendshme, Benjamin Netanyahu rezulton më i fortë nga sa parashikonin sondazhet në zgjedhjet parlamentare.
Kryeministri izraelit është pranë ruajtjes së pushtetit, ndërsa partia e tij, Likud, po shfaqet si forca më e madhe politike.
Megjithatë, gara mbetet e hapur dhe formimi i qeverisë së re nuk është ende i garantuar. Sipas rezultateve paraprake, blloku i Netanyahut, i mbështetur nga partitë ultra-nacionaliste dhe ultraortodokse, ka siguruar 54 mandate, nga 61 të nevojshme për të siguruar shumicën.
Opozita e drejtuar nga Gadi Eisenkot pritet të marrë 47 vende, ndërsa partitë që përfaqësojnë qytetarët arabë 19 mandate.
“Ne duhet të formojmë një qeveri të fortë, kombëtare dhe të djathtë. Kjo është ajo që duhet bërë. Ne nuk duhet, në asnjë mënyrë, të rrezikojmë Izraelin duke krijuar një qeveri që mbështetet te partitë arabe antisioniste”, tha Netanuyahu.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka kaluar 77 për qind, në një votim që konsiderohej vendimtar për të ardhmen politike të vendit. Kundërshtari kryesor i Netanyahut, ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, synon të krijojë një qeveri të re, por për këtë mund të ketë nevojë për mbështetjen e partive që përfaqësojnë pakicën arabe të Izraelit. Më herët ai e ka përjashtuar një mundësi të tillë.
“Koalicioni i dështimit ka humbur besimin e qytetarëve. Populli izraelit votoi kundër vazhdimit të mandatit të Netanyahut si kryeministër i Izraelit”, tha Eisenkot.
Tashmë priten negociata të vështira që mund të zgjasin javë, madje muaj. Nëse asnjë kandidat nuk arrin të formojë një shumicë brenda afatit ligjor, Izraeli mund të shkojë sërish në zgjedhje.
