Nga Frrok Çupi
Që atëherë, dhe ndoshta përherë, e kemi shtruar këtë dilemë. Të jemi si ata në Serbi, apo të jemi patriotë të mëdhenj ‘kundër’?. Thjesht në punën tonë!, këtë nuk e shtruam kurrë… Gati si regjim, çfarë ndodh atje, ndodh këtu dhe përkundër…
Ismail Kadare kishte mbërritur më shpejt në atë ambient të stërmadh dhe të boshatisur, në Manhatan. Fund maji 1991. Sa e nisi bisedën, këtë dilemë preku. Unë vija nga Tirana, ai nga Parisi.
-Si është ajo puna e grevës së minatorëve të Valiasit?!, më pyeti.
I thashë se kishin nisur prej javësh dhe diçka në hollësira.
-Mirë, mirë!, më tha, po pse bëjnë lidhje me Serbinë?! Kush e bën këtë?
Në grevë ishte dëgjuar parulla ‘Ta bëjmë Valiasin si Stari Trg-u”. e kishim marrë si një budallëk të ndonjërit në turmë. Në fakt nuk mund të ishte kështu. Stari Trg është minierë zinku në Mitrovicë, një seksion i kompleksit mineral të Trepçës. Atëherë ishte pjesë e Jugosllavisë, më afër e Serbisë. Që prej vitit 1989 kishin shpërthyer aty grevat e minatorëve, që herë- herë binin e herë vlonin më shumë. Minatorët e Valiasit e kishin ‘nominuar’ grenën e tyre si të Stari Trg.
Ditën e fundit, minatorët dolën nga greva dhe iu sulën Tiranës. Dogjën një pjesë të Ministrisë së Brendshme dhe vunë flakët në një seksion të selisë së Kuvendit të Shqipërisë, që nuk ndodhet larg.
Kryeministri Fatos Nano, teeksa po vinte nga Franca, u detyrua të japë dorëheqjen para se të zbriste në aeroport.
-Po pse duhet që shqiptarët të vihen kundër fatit të tyre, xhanëm!?- shfryu shkrimtari i madh.
Fatos Nano kishte marrë nga qeveria e Francës, nga vetë ministri Zhak Atali (një mik edhe i Kadaresë), një ndihmë të konsiderueshme në formë grandi prej disa milionë dollarë. Kushtet e vendit ishin të vështira. Ato ditë, pak më parë, qeveria shqiptare kishte deklaruar se kishim rezervë ushqimore për vetëm gjashtë ditë.
-Po a nuk mundët që të mos vinit zjarre në sy të botës? A nuk prisnit sa të akordohej ndihmë evropiane!?, pyeste si me vete shkrimtari.
Ngjarja kishte një lidhje direkt me një frymë të padukshme që i lidhte ngjarjet tona me Serbinë, si në rastin Valias- Stari Trg. Askush nuk e kuptonte qartë si kishte hyrë virusi ‘si Stari Trg’…
Shumë kush që e përdorte si nocion, as kishte idenë se ku binte emri i shkruar në gjuhën sllave. Por kjo nuk do të thotë se lidhja e krijuar dhe e përsëritur mes ngjarjeve tona dhe ngjarjeve në Serbi, ishte një ‘majmunëri’, thjesht.
Kjo ka ndodhur rëndom në fjalorin e politikës, të medias, të kafeneve dhe rakisë.
Edhe sot në konferencën e ambasadores së BE me kryeministrin shqiptar, një gazetare solli ngarkesën e pyetjes: ‘A i ngjajmë ne Serbisë me protesta?”. U duk si mish i huaj, por në fakt ka hyrë në qelizë të shumëkujt.
Prapë them, kjo duket si regjim: Sikur tjetri ngrihet në mëngjes dhe shikon nga Serbia, çfarë po bën sot ajo.
Hera e fundit që duan të bëjnë paralelen mes Tiranës dhe Beogradit, është kjo e protestës në Beograd dhe e protestës në Tiranë.
Vetëm fjala ‘protestë’ është e përbashkët. Asgjë më shumë. Megjithatë zakoni i hershëm ua çon gjuhën ku nuk është e vërteta. Protesta e Beogradit nisi në Novi Sad ku u vranë 16 persona. Ndërsa në Tiranë u mbyt një lëvizje e tërë njerëzore e qytetare që kërkojnë ‘pse vratë 26 vetë?’, në një fshat në kufi të sheshit të Tiranës, 15 vjet më parë. ‘Han e shan, han e Bagdad’, ose si thonë shkodranët ‘Ku Parisi, ku Postriba!’.
Pse u ka mbetur dora në ‘alltinë’ me emrin Serbi, sa herë thyhet një degë në oborr?!
