Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së organizuar kundër investimit të planifikuar në zonën e Zvërnecit. Kreu i qeverisë, duke iu përgjigjur kërkesës së protestuesve të për anulimin e projektit, deklaroi se kërkesa e tyre nuk mund të plotësohet pasi nuk ekziston ende një projekt për Zvërnecin.
Me anë të një reagimi të gjatë në platformën “X”, Rama shtoi se projekti i Zvërnecit është ende duke u punuar nga pesë studio prestigjioze ndërkombëtare të arkitekturës dhe se dokumenti përfundimtar do të dalë së shpejti.
“A duhet ta anuloj projektin? A për këtë arsye i thirrët njerëzit e mirë për të protestuar, ata që ju ndoqën edhe sot? Në rregull, pajtohem – më sillni projektin dhe ne do ta anulojmë! Por si është e mundur që nuk keni asgjë për të sjellë sepse nuk ka projekt? A e dini pse nuk ka projekt? Sepse projekti po punohet nga pesë nga studiot më prestigjioze në botë!“, tha Rama.
Më tej, kryeministri hodhi poshtë pretendimet se investimi lidhet me interesa izraelite apo me krijimin e një “getoje palestineze” në Zvërnec, duke i cilësuar këto akuza si manipulime. Ai theksoi se shumica e njerëzve që kanë dalë në protestë janë mashtruar nga organizatorët, pasi projekti nuk ka asnjë lidhje izraelite dhe shtoi se ky lloj antisemitizmi fyer kujtimin legjendar të të parëve tanë që në Luftën e Dytë Botërore mbrojtën hebrenjtë.
Ai theksoi se investimi prej rreth 4 miliardë eurosh mbështetet nga partnerë amerikanë dhe nga grupi Power Holding me bazë në Katar, të cilin ai e përshkroi si një nga sipërmarrjet më të mëdha turistike në Mesdheun evropian.
Kreu i qeverisë akuzoi kundërshtarët e projektit për përhapje të dezinformatave dhe për përdorim të ndjenjave patriotike të qytetarëve për të nxitur kundërshtimin ndaj investimit.
“Epo, mirë – si do ta mbani gjallë këtë luftë tuajën, të mbushur me shpifje dhe manipulime, me të njëjtat gënjeshtra? Apo mendoni se ata midis jush që më kanë besuar dhe votuar mua do t’ju ndjekin verbërisht derisa të zbatoni planin për të cilin jeni paguar, trajnuar, orkestruar – jo nga një mjeshtër, por nga krerët e ndryshëm, për të cilët natyra e Zvërnecit nuk do të thotë asgjë, por që e duan Shqipërinë si tokë të djegur për investimet e mëdha që e dallojnë Ligën e Kampionëve nga destinacionet turistike të nivelit të dytë dhe të tretë?! Edhe më keq, e duan në gjunjë siç ishin mësuar deri dje, jo në këmbë dhe me kokën lart siç është tani – e lëre më me kurorën e princeshës së turizmit mesdhetar… Do ta shohim – e vërteta vonon, por nuk harron, dhe gënjeshtrat tuaja kanë filluar tashmë sot të pengohen në këmbët e tyre të shkurtra“, shtoi Rama.
“A duhet ta anuloj projektin? A për këtë arsye i thirrët njerëzit e mirë për të protestuar, ata që ju ndoqën edhe sot? Në rregull, pajtohem – më sillni projektin dhe ne do ta anulojmë! Por si është e mundur që nuk keni asgjë për të sjellë sepse nuk ka projekt? A e dini pse nuk ka projekt? Sepse projekti po punohet nga pesë nga studiot më prestigjioze në botë! Klikoni te Kengo Kuma (Japoni), Bjarke Ingels (Danimarkë), Jean Nouvel (Francë), Emre Arolat (Turqi), K-Studio (Greqi) dhe njihuni me autorët e projektit arkitektonik. Së shpejti, kur projekti të jetë gati, padyshim që do ta paraqesim publikisht, siç bëjmë gjithmonë me projektet e mëdha të arkitektëve ndërkombëtarë, veçanërisht për një investim historik si ky. Kështu që më vjen keq, por nuk kemi një projekt për të anuluar.
Por me “Izraelin që ka marrë Zvërnecin për ta bërë atë një geto palestineze”, a do ta vazhdoni akoma? Pra, do të vazhdoni të shfrytëzoni ndjenjat e qytetarëve të mirë, pavarësisht besimit apo ideologjisë, që e duan Shqipërinë me gjithë zemër dhe natyrën e saj? Ata dalin në rrugë për shkak të kësaj ndjenje të plagosur nga manipulimet tuaja rreth shkatërrimit të supozuar të natyrës, por absolutisht jo për të fyer kujtimin legjendar të gjyshërve tanë myslimanë dhe të krishterë, të cilët i dhanë Shqipërisë vendin e nderit në Luftën e Dytë Botërore duke mbrojtur hebrenjtë me jetën e tyre! Ata duhet ta dinë të vërtetën e bukur: se bashkë investitorët në sipërmarrjen më të madhe turistike në Mesdheun evropian të sotëm, atje në Zvërnec, janë miq të dashur amerikanë të Shqipërisë dhe miq nga Katari – ky i fundit është bashkëpronar i konglomeratit gjigant Power Holding – pra nga një vend që nuk ka lidhje me Izraelin, por ndryshe nga djajtë e trushpërlarë dhe brutalë që duan ta “mbrojnë” Zvërnecin nga pushtimi izraelit, ata janë myslimanë vizionarë dhe të përulur ndaj Allahut dhe ndaj punës!
Klikonihttp://powerholding.com për të parë se çfarë dëmi po i shkaktoni Shqipërisë duke treguar mungesë mikpritjeje ndaj një investimi prej 4 miliardë eurosh, i cili do të kryhet nga kompania “Assets”, pjesë e Power Holding! Kliko, kliko. Epo, mirë – si do ta mbani gjallë këtë luftë tuajën, të mbushur me shpifje dhe manipulime, me të njëjtat gënjeshtra? Apo mendoni se ata midis jush që më kanë besuar dhe votuar mua do t’ju ndjekin verbërisht derisa të zbatoni planin për të cilin jeni paguar, trajnuar, orkestruar – jo nga një mjeshtër, por nga krerët e ndryshëm, për të cilët natyra e Zvërnecit nuk do të thotë asgjë, por që e duan Shqipërinë si tokë të djegur për investimet e mëdha që e dallojnë Ligën e Kampionëve nga destinacionet turistike të nivelit të dytë dhe të tretë?! Edhe më keq, e duan në gjunjë siç ishin mësuar deri dje, jo në këmbë dhe me kokën lart siç është tani – e lëre më me kurorën e princeshës së turizmit mesdhetar… Do ta shohim – e vërteta vonon, por nuk harron, dhe gënjeshtrat tuaja kanë filluar tashmë sot të pengohen në këmbët e tyre të shkurtra”, shkruan Rama në reagimin e tij.

