Ish-ambasadori Albert Prengaj ka ngritur shqetësimin për ndryshimet në rendin botëror dhe ndikimin e tyre në rajonin e Europës Juglindore, duke paralajmëruar për përpjekjet e Rusisë për të shtuar ndikimin e saj përmes luftës hibride.
Sipas Prengajt, pakënaqësia e qytetarëve, studentëve dhe grupeve ambientaliste mund të shfrytëzohet për të nxitur veprime që destabilizojnë vendin.
Prengaj ka bërë një paralelizëm me zhvillimet në Francë, duke shprehur shqetësimin për atë që e cilëson si prirje anarkike dhe ndikim të grupeve që, sipas tij, mbështeten në doktrina civilizuese joeuropiane.
Sipas ish-ambasadorit, këto zhvillime duhen parë në kontekstin e përpjekjeve për të dobësuar trupin politik shqiptar dhe për të penguar rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian.
“Rendi botëror ka pësuar rupturë, flitet për një Euroazi nën kontrollin rus dhe dobësim të ndikimit të SHBA-së dhe forcës lundruese atlantike të Amerikës dhe Unionit Europian. Në Juglindje të Europës, Rusia përpiqet të shtojë ndikimin e saj përmes luftës hibride.
Jemi duke parë një turbullirë që po ndodh ditë me radhë në Shqipëri dhe bashki të tjera, ku shfrytëzohet pakënaqësia qytetare, e studentëve dhe e ambientalistëve, por, duke përcjellë veprimet e këtyre grupeve, veprime anarkike që ngjajnë me ato në Francë, veprime të grupeve që i takojnë dogmave civilizuese jo europiane, flasin qartë që Shqipëria është halë në sy dhe duan që rrugëtimi në BE të pamundësohet dhe trupi politik shqiptar të dobësohet dhe t’i humbasë relevancat”, tha ai për “ABC News”.
Burimi: Politika
