Shumë faqe interneti në mbarë botën janë mbyllur pas zbulimit të dobësive serioze të sigurisë në gjuhën e tyre të programimit, e quajtur PHP, që përdoret gjerësisht për ndërtimin dhe funksionimin e platformave online.
Shumë institucione në vende të ndryshme të botës kanë nxjerrë përkohësisht faqet e tyre jashtë funksionit si masë parandaluese.
Ndërsa në Shqipëri nuk raportohen faqe të mbyllura apo të dëmtuara nga ky problem.
Vizion Plus kontaktoi Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, i cili bëri të ditur se nuk ka pasur mbyllje apo probleme të faqeve të internetit, as në institucionet qeveritare dhe as në kompanitë private.
Për të parandaluar sulmet e mundshme, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike njoftoi se një ditë më parë kishte paralajmëruar të gjitha infrastrukturat, ndërkohë po ndiqet çdo proces për marrjen e masave mbrojtëse.
Mangësitë në gjuhën e programimit u zbuluan nga studiues të sigurisë kibernetike me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Ndërkohë Britania dhe Bashkimi Evropian paralajmëruan për rrezikun dhe u kërkuan institucioneve të përditësonin menjëherë sistemet ose të mbyllnin përkohësisht faqet që nuk mund të siguroheshin në kohë.
Në Holandë, Finlandë, Francë dhe Danimarkë, disa faqe qeveritare dhe shërbime publike u nxorën përkohësisht jashtë funksionit, ndërsa zhvilluesit e gjuhës programuese publikuan përditësime për të korrigjuar dobësitë.
