AlbTimes
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Të shqetësohemi për euron nën 90 lekë?

by Alb Times
22/11/2026
in Opinion
6
0
Të shqetësohemi për euron nën 90 lekë?

Foto: Opinion

6
SHARES
301
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Fatos Çoçoli

Më 20 nëntor 2026, tre ditë më parë, euro zbriti për herë të parë nën kufirin e 90 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke arritur në 89,78 lekë dhe shënuar nivelin më të ulët historik.

Vetëm gjashtë muaj më parë, në maj 2026, dukej e pamundur edhe ulja nën nivelin 95 lekë për një euro. Ndërkohë në nëntor 2022, euro këmbehej me rreth 118 lekë, gati një të katërtën më shumë se sot. Çfarë ka ndodhur me monedhën evropiane? A kemi të bëjmë me një zhvlerësim të përkohshëm të euros, apo me një ekuilibër të ri të tregut valutor shqiptar?

Rënia e euros nën 90 lekë nuk është thjesht një zhvillim i tregut valutor. Ajo është një nga ndryshimet më të rëndësishme ekonomike të viteve të fundit në Shqipëri, me pasoja të drejtpërdrejta për familjet, bizneset, eksportuesit, importuesit, turizmin, investimet dhe financat publike.

Përfituesit dhe humbësit në ekonominë tonë

Për shumë qytetarë, një euro më e lirë është lajm i mirë. Për bizneset që eksportojnë në tregjet evropiane, është një shqetësim serioz. Për ata që kanë kredi në euro dhe të ardhura në lekë, është një lehtësim. Ndërsa për ata që marrin paga, pensione apo të ardhura nga emigracioni në euro, fuqia blerëse në Shqipëri është zvogëluar.

Rënia e euros krijon fitues dhe humbës. Nuk është një zhvillim që prek të gjithë qytetarët dhe bizneset në të njëjtën mënyrë.

Tabela 1. Fituesit nga rënia e euros

Grupet Efekti i euros më të lirë
Familjet me të ardhura në lekë Përmirësim i fuqisë blerëse për mallrat e importuara
Konsumatorët e produkteve të importuara Mundësi për çmime më të ulëta
Importuesit Ulje e kostos së blerjes së mallrave në euro
Kredimarrësit me kredi në euro dhe të ardhura në lekë Ulje e këstit të konvertuar në lekë

Tabela 2. Humbësit nga rënia e euros

Grupet Efekti i euros më të lirë
Eksportuesit shqiptarë Ulje e të ardhurave në lekë për çdo euro të arkëtuar
Turizmi dhe hotelet që arkëtojnë në euro Ulje e të ardhurave të konvertuara në lekë
Familjet që marrin remitanca në euro Më pak lekë për çdo euro të dërguar
Punonjësit që paguhen në euro Ulje e vlerës së pagës kur konvertohet në lekë

Lind pyetja: a duhet të shqetësohemi për këtë rënie të euros, apo duhet të mësohemi me një realitet të ri të ekonomisë sonë?

Shpjegimi nuk gjendet vetëm tek euro. Duhet të shohim edhe forcimin e lekut dhe ndryshimin e raportit ndërmjet kërkesës dhe ofertës për valutë në ekonominë tonë. Kur në tregun tonë hyjnë më shumë euro nga sa na duhet për pagesat jashtë vendit, atëhere krijohet presion i madh për uljen e kursit të euros kundrejt lekut.

Dhe vendi ynë në pesë vitet e fundit ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të burimeve të hyrjes së valutës. Janë tre burimet kryesore nga vijnë eurot e shtuara ndjeshëm: turizmi, investimet e huaja dhe emigrantët

Ka disa arsye ekonomike që shpjegojnë këtë forcim me 24 përqind të lekut në pesë vitet e fundit.

Së pari, turizmi. Kjo industri është shndërruar në një nga burimet më të rëndësishme të valutës për ekonominë tonë. Miliona vizitorë të huaj sjellin euro dhe valuta të tjera(kryesisht paund britanik), të cilat konvertohen në lekë për pagesat e hoteleve, restoranteve, transportit, shërbimeve dhe aktiviteteve të tjera.

Rritja e të ardhurave nga turizmi, e shoqëruar me zgjerimin e kapaciteteve akomoduese dhe të numrit të vizitorëve, ka rritur ofertën e valutës në tregun vendas.

Së dyti, janë investimet e huaja direkte. Investimet e huaja, veçanërisht në pasuri të paluajtshme, turizëm, ndërtim dhe shërbime sjellin gjithashtu hyrje të konsiderueshme të valutës. Për gjashtëmujorin e parë janar-qershor 2026, investimet e huaja direkte arritën nivelin rekord 1.14 miliardë euro, 53 përqind më shumë se në janar-qershor 2025.

Nëse një investitor i huaj sjell euro për të blerë një pronë, për të ndërtuar një hotel apo për të financuar një aktivitet ekonomik, krijohet ofertë shtesë për monedhën evropiane.

Së treti, janë emigracioni dhe dërgesat e emigrantëve. Paratë që shqiptarët jashtë vendit dërgojnë tek familjet e tyre janë një burim tradicional i valutës. Ato ndihmojnë konsumin familjar, financojnë blerjen e banesave, investimet e vogla dhe shpenzimet për arsim e shëndetësi. Dhe kur këto para konvertohen në lekë, shtojnë ofertën e euros në treg.

Këto tri burime, së bashku me eksportet e shërbimeve dhe flukset e tjera financiare, kanë ndryshuar strukturën e tregut tonë valutor dhe të mbarë ekonomisë sonë.

Sa ndikon ekonomia kriminale në rënien e euros?

Një nga shpjegimet që dëgjohet shpesh për forcimin e lekut është prania e parave me burim të paligjshëm në ekonominë tonë.

Sigurisht, flukset informale dhe pastrimi i parave ndikojnë në tregun valutor. Kur hyjnë shuma të konsiderueshme parash informale apo edhe të pista, dhe konvertohen në lekë për blerje pronash, investime apo shpenzime, ato shtojnë presionin mbi kursin e këmbimit.

Por nuk ka kuptim që gjithë rënia e euros me një të katërtën në pesë vitet e fundit t’i atribuohet ekonomisë informale apo kriminale! Kjo e fundit kontribuon apo jo në 5-7 përqind të uljes së euros tek ne.

A kemi një ekuilibër të ri të euros me lekun?

Kjo është ndoshta pyetja më e rëndësishme. Ekonomia jonë ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Turizmi ka marrë një peshë shumë më të madhe, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë tërhequr kapital të huaj, ndërsa lidhjet financiare me Diasporën janë zgjeruar.

Në këto kushte, niveli i ri i kursit të këmbimit pasqyron një ndryshim më të qëndrueshëm në raportin ndërmjet ofertës dhe kërkesës për valutë. Kursi i këmbimit ndikohet nga sezonaliteti. Në muajt e verës, hyrjet nga turizmi rriten ndjeshëm, ndërsa gjatë periudhave të tjera të vitit, kërkesa për euro mund të rritet për shkak të importeve, pagesave të borxhit, udhëtimeve dhe transferimeve financiare.

Për këtë arsye, euro do të vijojë përjetojë luhatje të konsiderueshme gjatë gjithë vitit. Mirëpo, derisa burimet strukturore të valutës(turizmi, investimet e huaja dhe paratë e emigrantëve) vazhdojnë të rriten, ekonomia jonë ka hyrë në një periudhë, ku euro do të qëndrojë mesatarisht në nivele më të ulëta se ato me të cilat jemi mësuar në të kaluarën. Pra, t’i harrojmë nivelet një euro njëqind e dhjetë, apo njëqind, apo edhe 95 lekë

Nëse hyrjet valutore nga turizmi vazhdojnë të rriten, investimet e huaja mbeten të larta dhe oferta e euros tejkalon kërkesën, kursi i këmbimit do të përjetojë presione të mëtejshme në drejtim të rënies.

Në këtë drejtim, një nivel pranë 85 lekëve për euro nuk është më një skenar i pamundur. Për këtë arsye, familjet dhe bizneset tek ne duhet të përgatiten për mundësinë e një euroje më të dobët.

Rënia e euros e vendos Bankën e Shqipërisë përpara një sfide të rëndësishme: të ruajë stabilitetin e çmimeve dhe të shmangë luhatjet e çrregullta të tregut valutor. Objektivi kryesor i politikës sonë monetare duhet të mbetet inflacioni pranë objektivit prej 3 për qind, brenda një intervali orientues 2–4 për qind.

Për qytetarët, kjo është shumë më e rëndësishme sesa një nivel i caktuar i kursit të këmbimit. Kjo, ngaqë fuqia blerëse e tyre nuk përcaktohet nga kursi i euros, por nga raporti ndërmjet të ardhurave dhe çmimeve të mallrave e shërbimeve që marrin.

Prandaj dhe nuk kemi pse ta festojmë pa rezerva rënien e euros, por as ta konsiderojmë atë si fatkeqësi ekonomike.

Për muajt e ardhshëm duhet të përgatitemi edhe për mundësinë e një euroje pranë 85 lekëve, sidomos në pikun turistik të korrikut dhe gushtit 2027. Veçse  kjo mbetet një mundësi, jo një parashikim i sigurt.

Për qytetarët, objektivi kryesor duhet të jetë ruajtja e fuqisë blerëse, me inflacion të kontrolluar dhe të ardhura që rriten realisht. Për bizneset, sfida është të përshtaten me një kurs të ri këmbimi dhe të rrisin produktivitetin. Për qeverinë, detyra është të mos e ngatërrojë forcimin e lekut me rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Në fund të fundit, për ne nuk është e rëndësishme vetëm sa lekë marrim për një euro. E rëndësishme është sa mallra dhe shërbime blejmë me pagën tonë, sa vende pune krijon ekonomia dhe sa të qëndrueshme janë të ardhurat tona.

Një lek i fortë është një avantazh për qytetarin kur shoqërohet me një ekonomi të fortë. Dhe një ekonomi e fortë nuk ndërtohet vetëm dhe thjesht me euron e lirë. Ajo ndërtohet me prodhim, eksporte, investime, produktivitet dhe paga më të larta.

Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

Operacioni “Fast” godet në Shkodër dhe Vorë, kapen dy të shumëkërkuar nga Italia

22/11/2026

Analiza e REL/ Sa larg mund të shkojë dora e shtetit të Kosovës në Hagë?

22/11/2026

Të shqetësohemi për euron nën 90 lekë?

22/11/2026

Evropa drejt një kthese politike, zgjedhjet në katër shtetet kyçe mund të sjellin në pushtet bllokun euroskeptik që trondit Brukselin

22/11/2026

Alarm në Detin Baltik, anija ruse e goditur nga dronët vijon të digjet në ujërat finlandeze

22/11/2026

Kërcënoi bashkëshorten se do ta vriste dhe qëlloi me armë në ajër, 40-vjeçari në Libohovë arrestohet pas 2 orësh negociata me policinë

22/11/2026

Balla paralajmëron ndryshime për blegtorët, TVSH-ja e qumështit ulet në 6%

22/11/2026

Marrëveshja për klimën në udhëkryq, përplasjet për naftën dhe gazin zgjasin samitin e COP31 përtej afatit zyrtar

22/11/2026

Grabitën 22 mijë euro, 800 mijë lekë dhe bizhuteri në Durrës, policia zbulon ku i fshehën sendet e vjedhura

22/11/2026

Nga Portugalia drejt Athinës me 15 kg kanabis në valixhe, arrestohet shqiptari

22/11/2026

120-vjetori i Shoqatës “Tomorri”, Begaj: Një trashëgimi që na vjen nga shekujt, detyra jonë ta ruajmë

22/11/2026

Çfarë ndodhi në Qafë-Thanë? Himni shqiptar në Pustec ndez debat në konferencën me Mickoskin, gazetari nga Tetova përplaset me Ramën

22/11/2026

“Në lojë është vetë jeta ime”, Veliaj refuzon operacionin në Fier: Nuk i besoj atij që më internoi

22/11/2026

Kumbaro reagon pas sulmeve online ndaj të rinjve që takuan Ramën: Linçimi dhe frikësimi janë terrorizim i hapësirës publike

22/11/2026

Protesta në Tiranë, policia procedon 10 persona dhe vendos 13 gjoba administrative

22/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Operacioni “Fast” godet në Shkodër dhe Vorë, kapen dy të shumëkërkuar nga Italia
  • Analiza e REL/ Sa larg mund të shkojë dora e shtetit të Kosovës në Hagë?

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.