Një anije mallrash ruse e goditur nga një sulm me dronë në Gjirin lindor të Finlandës vijon të digjet, ndërsa operacionet e shpëtimit dhe shuarjes së zjarrit janë ende në zhvillim. Bëhet fjalë për anijen “Sparta II”, e cila ishte nisur drejt Kaliningradit, enklavës ruse në Detin Baltik, kur u godit mëngjesin e së shtunës.
Pas sulmit, anija humbi kontrollin dhe përfundoi duke lëvizur drejt ujërave territoriale të Finlandës. Autoritetet finlandeze dyshojnë se pas sulmit qëndron Ukraina, megjithatë Kievi nuk ka reaguar ende zyrtarisht.
Roja Bregdetare e Finlandës bëri të ditur se po punohet për të parandaluar fundosjen e anijes, ndërsa ekipet vijojnë ta mbajnë nën kontroll situatën, duke hedhur ujë për të shuar flakët. Në operacion janë përfshirë edhe mjete nga Estonia dhe Rusia. Sipas autoriteteve finlandeze, deri më tani nuk është konstatuar ndonjë ndotje mjedisore dhe nuk ka rrezik për anijet e tjera që lundrojnë në këtë zonë. Ndërkohë, ekuipazhi është evakuuar në një tjetër anije ruse, e cila është nisur drejt Rusisë, ndërsa anija e dëmtuar e shpëtimit ka mbetur në vendngjarje.
Guvernatori i Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, deklaroi se sipas të dhënave paraprake, në sulm janë përdorur dy dronë, por siguroi se nuk ka asnjë kërcënim për furnizimin e enklavës ruse. Nga ana tjetër, kryeministri finlandez Petteri Orpo paralajmëroi se lufta po shtrihet gjithnjë e më pranë territorit të vendit të tij. “Lufta po përhapet në afërsinë tonë të drejtpërdrejtë. Ukraina ka të drejtën të kundërpërgjigjet ndaj agresorit”, deklaroi Orpo.
Ministria finlandeze e Mbrojtjes bëri gjithashtu të ditur se NATO është informuar për incidentin dhe se hetimet po kryhen nga Roja Bregdetare në bashkëpunim me autoritetet përkatëse.
Anija “Sparta II” është nën sanksione amerikane që prej vitit 2022 dhe është përfshirë gjithashtu në listën e sanksioneve të Ukrainës gjatë këtij viti. Ajo operohet nga një kompani ruse, e cila sipas të dhënave të publikuara në faqen e saj është krijuar në strukturën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe prej vitit 2015 vepron në sektorin e ndërtimit ushtarak.
Pas incidentit, autoritetet finlandeze vendosën përkohësisht kufizime në hapësirën ajrore dhe në lundrimin detar në zonën përreth. Ministria e Mbrojtjes ngriti gjithashtu dyshime se një helikopter rus mund të kishte shkelur hapësirën ajrore finlandeze, ndoshta në kuadër të operacioneve të shpëtimit ose gjurmimit. Incidenti rikthen vëmendjen te Deti Baltik, i cili është kthyer në një zonë të tensionuar që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, ndërsa Kievi ka intensifikuar sulmet me rreze të gjatë kundër objektivave ruse edhe përtej vijës së frontit.
