Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkon bashkimin e forcave opozitare për reformën zgjedhore, duke deklaruar se interesi i përbashkët i opozitës duhet të jetë mbi interesat e secilës parti.
Gjatë deklaratës për mediat, Berisha bëri të ditur se deputetët demokratë do të njihen me punën e kryer nga grupi i punës për Reformën Zgjedhore, me qëllim adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit dhe ato paraardhëse.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha përsëriti qëndrimin se largimi i Edi Ramës është kushti kryesor për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
“Është e domosdoshme një bashkim opozitar për të larguar kokën e Meduzës, Edi Ramën. Mos të gënjejmë veten. Kushti i të gjitha kushteve është largimi i Edi Ramës. Me të drejtë do të dëgjoni njerëz që thonë se me të nuk ka zgjedhje dhe thotë do shkojmë në zgjedhje. E them ka farsë. Ia them këtyre që shtrojnë këtë pyetje se ka dy mënyra: Ose të bashkohemi me vendimin që pa ndarjen e partisë nga shteti dhe reformën zgjedhore asnjë pjesëmarrje në zgjedhje nuk duhet të ketë.
PD është e para e gatshme. Por çfarë ndodh?! Kjo skemë në vitin 2015 u gjetën grevëthyesit, u krijuan partitë, u krijua opozita dhe kjo do ishte dhurata më e mirë për Edi Ramën. Nëse PD merr përsipër një gjë të tillë, PD i bë një dhuratë më të madhe narko diktatorit dhe shtetit të krimit. Kështu që rëndësi ka të bashkohemi në këtë reformë.
Garantoj partitë që ndihen opozitare që ne jemi të gatshëm dhe të marrim parasysh të gjithë ndjeshmëritë e tyre. Ne do vëmë jo interesin e PD të parin, por interesin e bashkimit të opozitës të parin. Ne do vendosim interesin e bashkimit të opozitës për një kuadër ligjor sa më të pranuar nga mbarë opozita”, deklaroi kreu i PD.
Po ashtu Berisha propozoi lista plotësisht të hapura dhe një zonë e vetme kombëtare.
“Në qëndrojmë për lista plotësisht të hapura, për një zonë të vetme kombëtare në proporcional të plotë. Po, proporcional të plotë. Para shumë muajsh njëra nga partitë opozitare propozoi listën e hapur dhe pragun 4%. Më vonë lexova që nuk janë dakord ca të tjerë. Dakord, hajde të mblidhemi sa e doni pragun. Për këto parti që janë dhe ato që do themelohen. Ne vendosim bashkimin e faktorëve dhe forcave opozitare si yllin polar të kësaj reforme”, tha Berisha.
