Një 19-vjeçar është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Transit 3”, të finalizuar nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Vlorë sot (12 nëntor).
Të dy shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se transportonin kundrejt pagesës 4 shtetas kinezë, të cilët synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Greqisë.
Në pranga ka rënë shtetasi M. M., 19 vjeç, banues në Konispol, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi A. S., 21 vjeç, banues në Kosovë.
Sipas policisë, 19-vjeçari monitoronte rrugën për praninë e shërbimeve të Policisë, ndërsa 21-vjeçari e ndiqte pas me automjetin në të cilin transportonte katër shtetasit kinezë në drejtim të Konispolit. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, në afërsi të Konispolit, shtetasi A. S. ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap, duke përfituar nga terreni dhe errësira.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy automjetet e përdorura për këtë veprimtari kriminale. Policia vijon punën për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rastit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
