Në Vlorë, për të dytën ditë radhazi, vijon të jetë i pezulluar lundrimi detar për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit, për shkak të kushteve të përkeqësuara hidro-meterologjike.
Gjatë kësaj të enjteje, në Gjirin e Vlorës, por edhe në det të hapur, është rritur ndjeshëm intensiteti i erës bregdetare, duke arritur shpejtësi nga 20 deri në 30 metra në sekondë.
Këto kushte e kanë bërë të pamundur daljen në det të mjeteve të peshkimit dhe lundrimin e mjeteve të vogla.
Ndërkohë, në qytetin e Vlorës nuk raportohen problematika të shkaktuara nga moti i keq. Sipas parashikimeve meteorologjike, situata pritet të vijojë të mbetet e përkeqësuar edhe në orët dhe ditët në vijim, me erëra të forta dhe dallgëzim të lartë në det.
Kapiteneria e Portit Detar të Vlorës u bënë thirrje peshkatarëve dhe drejtuesve të mjeteve lundruese të respektojnë kufizimet dhe të shmangin daljen në det deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.
