Nga Timo Mërkuri
Libri “Oxhaku i Këlcyrës” i Mero Bazes nuk është vetëm historia e një familjeje të njohur shqiptare. Ai është një përpjekje për ta parë historinë kombëtare nga një dritare më pak e zakonshme: nga brenda familjes, përmes lidhjeve të gjakut e krushqive, dokumenteve të pronësisë, kujtimeve, grindjeve, zgjedhjeve politike dhe fateve njerëzore. Kjo mënyrë vështrimi i jep librit një vlerë që shkon përtej gjenealogjisë. Në historinë e Këlcyrajve, autori kërkon të zbulojë jo vetëm prejardhjen dhe vazhdimësinë e një oxhaku, por edhe mënyrën se si një familje, me interesat, kundërthëniet dhe fatet e saj, është ndërthurur me historinë e Shqipërisë.
Ajo që e dallon këtë punë është se Baze nuk i ngre personazhet në piedestal vetëm për shkak të oxhakut nga vijnë, por as nuk i rrëzon me një gjykim të vetëm, si përfaqësues të një shtrese të privilegjuar. Ai i afron, i vë përballë dokumentit, kujtimit dhe dëshmisë. Herë-herë, një fjali e shkurtër, një replikë apo një hollësi e jetës së përditshme zbulojnë më shumë se faqe të tëra shpjegimesh. Kështu, historia nuk mbetet vetëm kronologji ngjarjesh. Ajo merr frymë përmes njerëzve që e kanë jetuar.
1. Origjina dhe kujtesa familjare
Një nga zgjedhjet më domethënëse të autorit shfaqet që në trajtimin e origjinës së familjes. Baze nuk e nis rrëfimin duke shpallur një prejardhje të sigurt e të lavdishme. Përkundrazi, vendos një kufi të qartë midis asaj që mund të provohet dhe asaj që ka mbetur në kujtesën familjare. Pohimi i tij se “Linja e trashëgimisë nga Muzakajt te Këlcyrajt, nuk është e sigurt” (f. 11) ka rëndësi të veçantë. Në vend që të ushqejë një legjendë prejardhjeje, autori pranon pasigurinë dhe e bën atë pikënisje të kërkimit.
Kjo është një nga shenjat e para të metodës së tij. Historia familjare nuk ndërtohet mbi dëshirën për t’i dhënë oxhakut një lashtësi sa më të madhe, por mbi përpjekjen për të kuptuar se si u formua realisht autoriteti i tij në Këlcyrë. Baze e vendos këtë proces në ndërthurjen e elementeve të mbetura nga tradita e Muzakajve me njerëzit e lidhur me Sinan Pashë Vlorën. Pra, nuk kemi të bëjmë me vijimësinë e pastër të një dere, por me një formim historik më të ndërlikuar.
Me interes është edhe rindërtimi i lidhjes me familjen e Ali Pashë Tepelenës. Këtu autori nuk kënaqet me pohimin e përgjithshëm se Këlcyrajt kishin lidhje gjaku me pashain e Janinës. Ai ndalet te Hasibeja, vajza e Shanishasë, motrës së Ali Pashës, dhe te martesa e saj me Muhamet Bej Këlcyrën, djalin e Veli Beut. Kjo lidhje nuk paraqitet si një hollësi zbukuruese e pemës gjenealogjike. Ajo ndihmon të kuptohet se si u formua familja e re Këlcyra pas vdekjes së Ali Pashës dhe si u ndërthurën dy histori familjare që deri atëherë kishin pasur marrëdhënie të afërta, por edhe tragjike.
Për ta mbështetur këtë rindërtim, Baze i drejtohet një dokumenti të gjetur në arkivat e Stambollit: kërkesës së Hysen Bej Këlcyrës për njohjen e pronave të gjyshit të tij, Veli Beut. I lexuar së bashku me dëshmi të tjera, dokumenti ndihmon të përcaktohet se Hasibeja ishte martuar me Muhamet Bej Këlcyrën dhe jo me një tjetër bej të familjes, siç ishte përcjellë në disa rrëfime. Këtu shihet një nga risitë e punës së Bazes: një dokument pronësie, që në pamje të parë mund të duket i kufizuar në një çështje pasurore, kthehet në çelës për të rindërtuar një nyje të rëndësishme të historisë familjare (f. 71–75).
Por autori nuk e lë mënjanë as kujtesën. Në fillim të librit, dhoma e quajtur “Biblioteka”, ku ruheshin dokumentet e vjetra, merr një domethënie të veçantë. Shprehja e Muhamet Beut, “kur ishim ashtu”, e cila në fillim mbetet e pashpjeguar, e çon rrëfimin drejt një të kaluare të heshtur: rrënjëve të krishtera të familjes dhe konvertimit në islam. Kjo heshtje nuk është thjesht mungesë informacioni. Ajo dëshmon vështirësinë e një familjeje për t’u përballur me një pjesë të historisë së vet. Edhe djegia e dokumenteve në vitin 1914 fiton kështu një kuptim të dyfishtë: humbje materiale, por edhe ndërprerje e një kujtese që nuk ishte rrëfyer plotësisht (f. 16–17).
Në këto faqe, Baze na kujton se historia nuk nis gjithmonë aty ku fillon dokumenti. Nganjëherë ajo nis te një fjalë e lënë përgjysmë, te një kujtim që nuk shpjegohet, te një heshtje që pret të kuptohet.
2. Portrete brenda një oxhakut
Një tjetër meritë e librit është mënyra se si autori shmang portretin e përgjithshëm të beut shqiptar. Këlcyrajve nuk u jepet një karakter i vetëm, sikur të gjithë të kishin jetuar sipas të njëjtit kod moral e politik. Brenda së njëjtës familje shfaqen temperamente dhe qëndrime të ndryshme. Xhelal Beu del si figurë më despotike, ndërsa Muhamet Beu ruan një marrëdhënie më të afërt me njerëzit e krahinës. Islam Beu shfaqet me një natyrë tjetër: i përmbajtur, me kulturë, me një lloj elegance që nuk buron nga titulli, por nga mënyra e sjelljes.
Këto dallime nuk janë të parëndësishme. Ato e shpëtojnë rrëfimin nga përgjithësimet dhe tregojnë se pushteti tradicional nuk prodhonte medoemos të njëjtin raport me njerëzit. Baze nuk i fsheh privilegjet dhe autoritetin e kësaj familjeje, por as nuk i trajton të gjithë anëtarët e saj si përfaqësues të një bote të pandryshueshme.
Portreti i Muhamet Beut merr një nga shprehjet më të forta në episodin e ultimatumit grek. Pasi autoritetet i kërkojnë të firmosë një marrëveshje për kufirin në Këlcyrë dhe e kërcënojnë se do t’i djegin sarajet, ai përgjigjet: “Që tani vurini flakën, unë nuk firmos!” (f. 145). Kjo replikë nuk ka nevojë për zbukurim. Ajo mbart vetë peshën e karakterit. Muhamet Beu e di çfarë rrezikon: jo vetëm shtëpinë, por edhe vendin ku përqendrohej historia dhe autoriteti i familjes. Megjithatë, nuk pranon ta lidhë emrin e tij me një vendim që, sipas tij, cenonte vendin.
Muhamet Bej Këlcyra, Beu i fundit i Këlcyrës
Rëndësi ka edhe mënyra si Baze e vendos këtë gjest në kontekst. Ai nuk e paraqet Muhamet Beun si një hero të shkëputur nga koha, por si një njeri të lidhur thellë me familjen, sarajet dhe krahinën. Pikërisht për këtë arsye, gatishmëria për t’i sakrifikuar ato fiton peshë. Nuk është një deklaratë pa kosto.
Një tjetër dritare drejt karaktereve hapet përmes Islam Beut. Në episodin ku ai i përgjigjet Mehmet Shehut, i cili e përqesh Ali Bej Këlcyrën se ishte larguar “si lepur”, Islami (i ishte përgjigjur: “Atë bën gjithnjë, por ka zakon të kthehet prapë…”) zbulon një mënyrë të veçantë të të kundërpërgjigjurit. Nuk ka britmë, as përpjekje për të imponuar autoritetin. Ka ironi, vetëpërmbajtje dhe një siguri që nuk ka nevojë të shpallet. Një fjali e tillë e bën personazhin të duket i gjallë, jo sepse autori e përshkruan gjatë, por sepse e lë të flasë (f. 216–217).
Veli Bej Këlcyra delegati i Përmetit në shpalljen e pavarësisë në Vlorë
Në këtë mënyrë, Baze ndërton një galeri portretesh që nuk i shërben lavdërimit të familjes. Përkundrazi, ajo zbulon dallimet e brendshme, dobësitë, krenarinë, zgjuarsinë dhe mënyrat e ndryshme të përballjes me historinë.
Xhelal Bej Këlcyra, babai i Ali Këlcyrës
3. Ali Bej Këlcyra: bindja dhe fati politik
Figura e Ali Bej Këlcyrës zë natyrshëm një vend të rëndësishëm në libër, por Baze nuk e trajton atë si një biografi të shkëputur nga historia e familjes. Përkundrazi, portreti ndërtohet përmes formimit të tij, lidhjeve familjare, shkollimit, veprimtarisë politike dhe marrëdhënieve me regjimet që e lanë jashtë vendit.
Pa e ritreguar librin, mjafton të ndalemi në disa momente të jetës së tij. Aliu lindi më 28 maj 1891, si djali i madh i Xhelal Beut. Shkollimin fillor e kreu në Këlcyrë, ndërsa në vitin 1904 u dërgua në liceun “Galatasaray” të Stambollit, një institucion me frymë liberale ku studionin fëmijë të besimeve të ndryshme. Më pas u regjistrua në Shkollën e Shkencave Politiko-Administrative, por nuk arriti ta përfundonte për shkak të trazirave të Luftërave Ballkanike dhe kthimit në Shqipëri më 1912. Kjo periudhë formimi ndihmon të kuptohet horizonti i tij kulturor e politik. Aliu nuk ishte thjesht trashëgimtar i një dere të madhe, por një i ri që ishte formuar në mjedise të ndryshme arsimore e kulturore (f. 223).
Një nga episodet më domethënëse të rinisë së tij është ai i 11 nëntorit 1918, në kalanë e Gjirokastrës. Autoritetet italiane kishin organizuar një ceremoni për të shprehur mbështetjen ndaj vazhdimit të protektoratit italian mbi Shqipërinë. Në atë mjedis, Ali Këlcyra kërkoi nga gjenerali italian lirimin e Vlorës dhe kthimin e saj Shqipërisë. Episodi duhet lexuar në kohën e vet: Vlora ishte ende nën pushtimin italian dhe do të çlirohej në vitin 1920. Kërkesa e Aliut ishte, pra, një kundërshtim i drejtpërdrejtë ndaj pranisë italiane. Baze e quan këtë ndërhyrje “bombën” që Aliu shpërtheu në kalanë e Gjirokastrës. Shprehja është e goditur, sepse tregon se ai nuk zgjodhi heshtjen në një ceremoni të organizuar dhe të kontrolluar nga pushtuesit (f. 159).
Këtu shihet edhe një veçori e mënyrës si Baze e shkruan historinë politike: ai kërkon gjestin konkret ku një bindje shfaqet në veprim. Në vend që të mjaftohet me cilësimin e Aliut si kundërshtar të italianëve, sjell një episod të datuar, një vend, një ceremoni dhe një kërkesë të drejtpërdrejtë. Lexuesi nuk merr vetëm një përfundim; sheh rrethanën që e bën atë të besueshëm.
Ali Këlcyra u bë deputet dhe mori pjesë në jetën parlamentare të Shqipërisë së viteve të para të shtetit. Më pas u rreshtua në opozitë me Ahmet Zogun dhe u bë një nga kundërshtarët e tij politikë. Pas zhvillimeve të vitit 1924, u largua nga Shqipëria dhe u dënua me vdekje nga regjimi zogist. U kthye në vitin 1939, por qëndrimi i tij në atdhe nuk zgjati. Në vitin 1944 u largua përsëri, këtë herë për të mos u kthyer më gjatë jetës.
Baze nuk e paraqet opozitarizmin e Aliut si një etiketë të përgjithshme. Ai e vendos atë në vijimësinë e një qëndrimi politik kundër autoritarizmit, monarkisë dhe më pas komunizmit. Por portreti nuk mbetet pa hije. Në hyrje, autori e cilëson Aliun demokrat liberal e socialdemokrat të vendosur, por njëkohësisht vëren se jeta e tij ishte tragjike, sepse nuk arriti t’i vinte aftësitë në shërbim të Shqipërisë. Kjo është një nga vërejtjet më domethënëse të librit: një njeri mund të ketë bindje të forta dhe aftësi të mëdha, por të mbetet jashtë zhvillimeve të vendit të vet (f. 14–15).
3.1. Ali Këlcyra dhe çështja e bashkëpunimit
Një nga çështjet më të ndjeshme në portretin e Aliut është qëndrimi i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe raporti me fashizmin e nazizmin. Këtu Baze përpiqet të mbështetet te një dëshmi që e konsideron të rëndësishme: ndalimi i Ali Këlcyrës dhe Mit’hat Frashërit nga forcat aleate në Itali, pas largimit nga Shqipëria, për t’u hetuar mbi veprimtarinë e tyre gjatë luftës.
Sipas rrëfimit të Bazes, Aliu mori përsipër përgjegjësinë për drejtimin e Ballit Kombëtar deri në vitin 1943, ndërsa Mit’hat Frashëri kishte qenë drejtuesi i tij honorifik. Për autorin ka rëndësi të veçantë përfundimi se Aliu nuk kishte hyrë në asnjë qeveri fashiste dhe nuk kishte bashkëpunuar me to. Megjithatë, kjo nuk e mbylli menjëherë çështjen. Aliu qëndroi i izoluar deri në vitin 1947 dhe u hetua edhe për ngjarje të tjera, ndër to për Luftën e Vlorës dhe vrasjen e ushtarëve italianë në kalanë e Tepelenës në qershor 1920 (f. 235).
Baze sjell edhe një dëshmi tjetër me peshë: vlerësimin e historianit Kristo Frashëri, të cilin e citon në mbështetje të qëndrimit se Ali Këlcyra ishte i vetmi themelues i Ballit Kombëtar që nuk bashkëpunoi me asnjë qeveri kolaboracioniste në Shqipëri. Kjo dëshmi ka rëndësi edhe për autoritetin e personit që e jep, por duhet lexuar brenda kufijve të saj. Të mos hysh në një qeveri kolaboracioniste nuk është e njëjta gjë me të provuarit se nuk ka pasur asnjë lloj marrëdhënieje politike apo kontakti me aktorët e kohës. Prandaj, vlera e argumentit të Bazes qëndron te dokumentet dhe dëshmitë që ai sjell, jo te shndërrimi i tyre në një pafajësi të përgjithshme e të pakushtëzuar.
Kjo është pika ku teksti kërkon një lexim të kujdesshëm. Autori ka të drejtë të kundërshtojë etiketimet e trashëguara dhe të kërkojë prova, por lexuesi duhet të dallojë mes asaj që dokumentohet, asaj që dëshmohet dhe asaj që përfundon autori. Kjo ndarje nuk e dobëson portretin e Aliut. Përkundrazi, e bën më serioz. Një figurë historike nuk ka nevojë të pastrohet nga çdo hije për të marrë vendin që i takon.
4. Shega: përballë përndjekjes
Nëse Aliu përfaqëson përmasën politike të historisë së Këlcyrajve, Shega i jep librit një thellësi tjetër, më të heshtur dhe më të dhimbshme. Përmes saj, historia zbret nga vendimet politike te pasojat që ato lënë në jetën e një njeriu. Ajo ishte vajza e Muhamet Beut dhe një nga pjesëtaret e familjes që mbeti në Shqipëri pas largimit të Aliut më 1944.
Në çastin e ndarjes, Shega nuk pranoi të largohej pa marrë me vete të moshuarit që kishin mbetur në Këlcyrë. Ajo besonte se pushteti i ri nuk do të merrej me gratë, por mbi të gjitha ndiente se familja kishte nevojë për të. Kështu, ndërsa Aliu u largua me familjen e tij, Shega mbeti pas, me shpresën se ndarja do të ishte e përkohshme. Ky vendim, i marrë nga një vajzë shumë e re, do të përcaktonte gjithë jetën e saj (f. 235).
Baze nuk e trajton Shegën vetëm si viktimë të regjimit komunist. Ai përpiqet të rindërtojë karakterin e saj përmes episodeve, fjalëve dhe dëshmive. Njëra prej tyre është replika që ajo i jep një përgjegjëseje në vendin e punës, kur kjo e fundit ngurron ta thërrasë “shoqe”, për shkak të prejardhjes së saj bejlerore: “Ua, si të thërras shoqja Shegë? Po ti je vajzë e beut…” Shega i përgjigjet: “E di, por tani kanë ndryshuar kohërat” (f. 249).
Në këto pak fjalë gjendet një botë e tërë e përmbysur. Ajo e di prejardhjen e vet, nuk e mohon, por e kupton se rendi shoqëror ka ndryshuar dhe se duhet të jetojë brenda këtij ndryshimi. Përgjigjja nuk ka as mburrje, as nënshtrim. Ka vetëdije dhe një lloj qetësie që e bën personazhin të besueshëm.
Edhe episodi i sulmit nga brigadieri, të cilit Shega i përgjigjet duke e goditur me një enë për t’u mbrojtur, e plotëson këtë portret. Ajo nuk është një figurë që vetëm pëson. Në një çast të caktuar, reagon, mbron veten dhe nuk pranon poshtërimin. Më vonë arrestohet, por jo për këtë episod; akuza ndaj saj lidhet me veprimtarinë që regjimi e interpreton si rezistencë ndaj emancipimit të gruas. Ky dallim ka rëndësi: pushteti nuk e dënon domosdoshmërisht për atë që ndodhi, por për kuptimin politik që i jep sjelljes së saj.
Në këtë kontekst merr domethënie edhe kënga tallëse që vihet në qarkullim për Shegën: “Shikoni, shokë ç’ka ngjarë, / Vajz’ e beut pshin (fshin) pazarë!” (f. 249). Ajo nuk është thjesht një hollësi folklorike, as një ndërmjetëse e padëmshme e humorit popullor. Ajo është një “këngë” e stisur, e porositur për të fyer vajzën e beut dhe për ta thyer moralisht. Këtu zëri i komunitetit nuk del domosdoshmërisht si zë i drejtësisë. Përmes këtij materiali, Baze nuk ruan vetëm kujtesën e një kënge; na jep mundësinë të lexojmë marrëdhënien e shoqërisë me një grua që mbeti e lidhur me një botë të rrëzuar.
Një nga pasazhet më të rëndësishme të librit është trajtimi i dosjes së ashtuquajtur “Grupi miks”. Shega paraqitet nga hetuesia si lidhëse e njerëzve të afërt me Ali Këlcyrën, me grupin antikomunist të Peshtanit dhe me rrjete që, sipas akuzës, kishin lidhje me Janinën. Baze e lexon këtë material me kujdes, duke dalluar faktet e mundshme nga mënyra se si hetuesia i ka bashkuar ato për të ndërtuar figurën e një armiku. Ai vëren se dëshmitë e marra në hetuesi nuk mund të lexohen si rrëfime të lira, sidomos kur dihet se në atë sistem deklaratat mund të ishin produkt i presionit, frikës dhe torturës.
Një hollësi e veçantë e kësaj dosjeje është dëshmia e Shegës për një ngjarje në Trebeshinë. Ajo tregon se lajmi për goditjen e disa milicëve nga çobani i Sali Beut nuk ishte i vërtetë, por një parullë e sajuar për të mbajtur lart moralin e njerëzve dhe për t’i përgatitur për lëvizje. Ky pasazh ka vlerë të dyfishtë: nga njëra anë, zbulon mekanizmin e krijimit të lajmit brenda një grupi politik; nga ana tjetër, tregon se Shega ishte në gjendje të dallonte mes ngjarjes dhe propagandës, madje edhe kur kjo e fundit vinte nga njerëz të afërt me të (f. 247).
Këtu libri fiton një nga përmasat e tij më të rëndësishme. Nuk kemi vetëm një histori përndjekjeje, por edhe një vështrim mbi mënyrën se si ndërtoheshin bindjet, shpresat dhe iluzionet e grupeve politike. Shega nuk del as si heroinë e pagabueshme, as si figurë e nënshtruar. Ajo është një njeri me bindjet, frikën, gabimet dhe gjykimin e vet.
5. Dokumenti dhe e vërteta historike
Një nga risitë më të rëndësishme të Bazes është se ai nuk e trajton dokumentin si një objekt të shenjtë, që mjafton të gjendet për të shpallur të vërtetën. Dokumenti është dëshmi, por duhet lexuar në rrethanat në të cilat është krijuar. Kjo bëhet veçanërisht e qartë në trajtimin e letrave që pretendohej se vinin nga Ali Këlcyra. Sipas rindërtimit të autorit, Sigurimi kishte sajuar letra në emër të Aliut për të krijuar përshtypjen se ai vazhdonte të komunikonte me njerëzit e mbetur në Shqipëri dhe për t’i futur ata në një rrjet dyshimesh e akuzash (f. 236–237).
Ky është një moment i rëndësishëm metodologjik. Baze nuk mjaftohet me citimin e dosjeve. Ai i krahason ato me kujtimet, intervistat, dokumentet e tjera dhe rrethanat historike. Në këtë mënyrë, lexuesi ftohet të mos besojë verbërisht as në arkiv, as në kujtesën familjare.
Rëndësi ka edhe fakti se autori nuk i paraqet të gjitha dëshmitë si të barasvlershme. Një kujtim i dhënë shumë vite pas ngjarjes ka natyrën e vet; një procesverbal hetimor ka një tjetër; një dokument pronësie mund të provojë një lidhje familjare, por jo domosdoshmërisht një marrëdhënie emocionale apo politike. Kjo vetëdije për natyrën e burimeve është një nga shtyllat e punës së tij.
Bibliografia në fund të librit dëshmon shtrirjen e kërkimit: Arkivi Osman i Stambollit, Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivi Shtetëror i Venedikut, arkivat historiko-diplomatike italiane, dokumentacioni i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe kujtime, gazeta e botime të ndryshme. Kjo shumësi burimesh nuk është thjesht tregues i punës së kryer. Ajo shpjegon edhe mënyrën se si autori e ndërton rrëfimin: duke lëvizur nga një arkiv te një dëshmi gojore, nga një dokument administrativ te një kujtim familjar, nga një procesverbal te një episod i jetës së përditshme (f. 319–320).
6. Hëna dhe Shega: dy kujtime të së shkuarës
Një nga kulmet njerëzore të librit është takimi i Hëna Këlcyrës me Shegën, pas shumë vitesh ndarje. Të dyja janë pjesëtare të së njëjtës familje, por nuk e mbajnë të shkuarën në të njëjtën mënyrë. Hëna e ka përjetuar pjesën më të madhe të jetës larg Shqipërisë. Kthimi në Këlcyrë për të ka kuptimin e rikthimit te rrënjët, te identiteti dhe te një botë që i është mohuar. Shega, përkundrazi, e ka jetuar drejtpërdrejt dhunën e regjimit dhe e ka paguar me jetën e saj faktin se i përkiste asaj familjeje.
Dallimi midis tyre shfaqet në një bisedë për sarajet. Kur Hëna pyet nëse janë kthyer si pronë, Shega përgjigjet se, nëse do të ktheheshin ndonjëherë, ajo do t’ia falte Hënës: “Nuk më mori malli për ta…” (f. 253).
Kjo fjali ka një forcë që nuk vjen nga ndonjë shpjegim i gjatë. Për Hënën, sarajet janë vendi i humbur, simboli i një historie familjare që duhet rikthyer në kujtesë. Për Shegën, ato janë edhe vendi prej nga nisi një fatkeqësi që ajo nuk e kishte zgjedhur. E njëjta trashëgimi, pra, merr dy kuptime të kundërta. Njëra e kërkon; tjetra është lodhur duke e mbajtur mbi supe.
Hëna përpiqet ta afrojë Shegën me kujtimin e Muhamet Beut, duke i përsëritur fjalët e tij: “Këlcyra ka nevojë për ne, por as ne nuk bëjmë dot pa të…” Por Shega, pas një heshtjeje, përgjigjet: “Edhe Këlcyra bëri pa ne, edhe ne bëmë pa Këlcyrën…” (f. 253).
Në këtë replikë mbyllet një pjesë e madhe e historisë së librit. Nuk është më fjala për pronën, për sarajet apo për një të drejtë trashëgimie. Është fjala për marrëdhënien e njeriut me vendin që e ka lindur, por që mund edhe ta ketë plagosur. Shega nuk e mohon prejardhjen e vet; ajo thjesht nuk pranon që kjo prejardhje t’i kërkojë një dashuri të pakushtëzuar ndaj vendit ku ka vuajtur.
Më duket se këtu Baze arrin një nga çastet më të mira të rrëfimit. Ai nuk e detyron lexuesin të zgjedhë mes dy grave dhe as nuk përpiqet t’i pajtojë artificialisht kujtimet e tyre. I lë të qëndrojnë përballë njëra-tjetrës. Hëna ka të drejtën e mallit; Shega ka të drejtën e zhgënjimit. Historia nuk është më një rrëfim i vetëm, por dy jetë që e kujtojnë ndryshe të njëjtën të kaluar.
Me këto dy gra mbyllet jo vetëm një vijë trashëgimie, por edhe një mënyrë e të jetuarit të së shkuarës. Njëra e ruan si identitet, tjetra si plagë.
7. Mënyra e të rrëfyerit: gazetari, ndjeshmëri letrare dhe kërkim historik
Veçantia e Mero Bazes nuk qëndron vetëm te burimet që ka shfrytëzuar, por edhe te mënyra se si i ka kthyer ato në rrëfim. Në këtë libër takohen tri përmasa të punës së tij.
Së pari, është gazetari. Kjo ndihet në vëmendjen ndaj hollësisë, në kërkimin e dëshmisë, në krahasimin e burimeve dhe në aftësinë për të ndjekur një gjurmë që mund të duket e parëndësishme. Një adresë në regjistrat e policisë së Lozanës, një kërkesë për pronë në arkivin e Stambollit apo një procesverbal hetimor mund të bëhen pika nisjeje për një rindërtim shumë më të gjerë.
Së dyti, është ndjeshmëria letrare. Ajo nuk shfaqet në zbukurimin e ngjarjeve, por në zgjedhjen e detajeve që i japin jetë personazhit. Një replikë e Islam Beut, një përgjigje e Shegës, një heshtje në bisedën e dy kushërirave mund të mbartin një peshë që nuk e ka një përshkrim i gjatë. Autori e kupton se karakteri nuk zbulohet vetëm nga ajo që njeriu ka bërë, por edhe nga mënyra si flet, si hesht, si kujton dhe si i përgjigjet tjetrit.
Së treti, është kërkimi historik. Baze nuk mjaftohet me rrëfimin e një kujtimi familjar, por kërkon ta verifikojë atë përmes dokumenteve dhe burimeve të ndryshme. Kjo nuk e bën automatikisht çdo përfundim të tij të pakundërshtueshëm, por i jep librit një bazë të gjerë dokumentare dhe e vendos rrëfimin në marrëdhënie të vazhdueshme me provën.
Ajo që i bashkon këto tri përmasa është aftësia për të mos e lënë dokumentin të mbetet i ftohtë dhe për të mos e lënë emocionin të zëvendësojë faktin. Në faqet më të mira të librit, dokumenti dhe njeriu ndriçojnë njëri-tjetrin. Një letër nuk është vetëm letër, por gjurmë e një marrëdhënieje; një procesverbal nuk është vetëm akt administrativ, por mund të jetë dëshmi e frikës; një fjali e thënë në një takim familjar mund të zbulojë një plagë që nuk është shëruar për dekada.
Kjo mënyrë shkrimi i jep veprës një përmasë të veçantë. Historia familjare nuk trajtohet si një degë e vogël e historisë kombëtare, por si një terren ku mund të shihet më qartë vetë historia e vendit. Në fatet e Këlcyrajve kalojnë sundimi osman, marrëdhëniet me Ali Pashë Tepelenën, shpallja e Pavarësisë, pushtimet, konfliktet kufitare, jeta parlamentare, autoritarizmi zogist, Lufta e Dytë Botërore, vendosja e komunizmit, përndjekja dhe emigracioni politik. Këto ngjarje nuk shfaqen si kapituj të veçantë të një teksti shkollor. Ato hyjnë në jetën e njerëzve, ndryshojnë marrëdhëniet e tyre dhe përcaktojnë fatin e brezave.
8. Nga historia e një oxhaku te historia e një kombi
Rëndësia e Oxhakut të Këlcyrës qëndron edhe në faktin se ai na kujton sa shumë mund të humbasë historia kombëtare kur shkëputet nga historia e familjeve, e krahinave dhe e njerëzve konkretë. Një ngjarje politike nuk ka vetëm aktorët që dalin në dokumentet zyrtare. Ajo ka edhe familjet që ndahen, njerëzit që largohen, pronat që digjen, fëmijët që mbeten pas dhe kujtimet që nuk përputhen më.
Në këtë kuptim, libri i Bazes sjell një mënyrë tjetër për ta parë historinë. Ai nuk kërkon ta zëvendësojë historiografinë me biografinë familjare, por të tregojë se këto dy fusha mund të ndriçojnë njëra-tjetrën. Historia e Këlcyrajve nuk është e rëndësishme vetëm sepse bëhet fjalë për një familje me ndikim. Ajo është e rëndësishme sepse përmes saj shihen mekanizmat e pushtetit, marrëdhëniet shoqërore, përplasjet ideologjike dhe pasojat njerëzore të ndryshimeve politike.
Më e rëndësishmja, autori nuk e paraqet të shkuarën si një botë të ndarë në njerëz të mirë dhe njerëz të këqij. Xhelal Beu, Muhamet Beu, Islam Beu, Aliu, Shega dhe Hëna nuk kanë të njëjtën natyrë dhe as të njëjtin fat. Ata shihen në marrëdhënie me kohën, me interesat, me bindjet dhe me kufizimet e tyre. Kjo nuk do të thotë se autori heq dorë nga gjykimi. Do të thotë se nuk e zëvendëson analizën me një dënim apo lavdërim të gatshëm.
Prandaj, risia e këtij libri nuk duhet kërkuar vetëm te dokumentet që sjell, te lidhjet gjenealogjike që sqaron apo te hollësitë e panjohura të jetës së Ali Këlcyrës. Ajo që e bën veprën të veçantë është mënyra se si këto materiale lidhen në një rrëfim ku historia publike dhe jeta private nuk ndahen me thikë. Një dokument pronësie mund të ndriçojë një martesë; një këngë mund të zbulojë mendësinë e një komuniteti; një dëshmi hetimore mund të tregojë njëkohësisht një veprimtari politike dhe mekanizmin e një aparati represiv; një bisedë mes dy grave mund të përmbledhë gjithë dramën e një familjeje.
Në fund, Oxhaku i Këlcyrës na lë përpara një të vërtete që nuk është gjithmonë e rehatshme: historia nuk i ruan njerëzit sipas dëshirës së pasardhësve të tyre. Ajo ruan edhe kundërthëniet, gabimet, heshtjet dhe plagët. Merita e Mero Bazes është se nuk përpiqet t’i mbulojë këto me një shkëlqim të rremë. Ai i afrohet familjes me kërshërinë e gazetarit, me vëmendjen e studiuesit dhe me ndjeshmërinë e shkrimtarit. Për këtë arsye, libri nuk mbetet vetëm historia e një oxhaku që pati pushtet, emër dhe ndikim. Ai bëhet historia e njerëzve që e mbartën atë emër, e atyre që u larguan, e atyre që mbetën dhe e atyre që nuk arritën të pajtoheshin me të shkuarën.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron vlera më e thellë e veprës: në aftësinë për ta zbritur historinë nga piedestali, pa ia hequr madhështinë, por duke ia kthyer fytyrën njerëzore.
Sarandë, tetor–nëntor 2026
