Dy përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje janë paraqitur në Prokurorinë Speciale.
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, së bashku me deputetin Ilir Kërçeli, dorëzuan materiale lidhur me dyshimet për keqpërdorime dhe dëmtim të buxhetit të kryeqytetit.
Shefi i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, tha se ky denoncim ka të bëjë me kontratën për ndriçimin publik në Komunën e Prishtinës. Ai tha se janë të bindur se ka prova dhe fakte të mjaftueshme që kjo është një “kontratë abuzive”, përmes së cilës është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës.
“Siç e dini, për ndriçimin publik janë dy kontrata të cilat janë nënshkruar në një periudhë të ngushtë kohore. Kontrata e parë është e korrikut të vitit 2024, ndërsa kontrata tjetër e prillit të vitit 2025, mirëpo ndryshimi për pozicionet e njëjta, për punën e njëjtë, është aq i madh saqë na ka bërë që këtë kontratë ta hetojmë më në thellësi dhe të gjeturat tona i kemi dorëzuar pranë Prokurorisë Speciale dhe presim që Prokuroria ta zbardhë rastin”.
Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli, ngriti dyshime mbi ndryshimin e çmimeve mes dy kontratave, duke ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën e faturimit të punimeve. Ai kërkoi hetimin e të dy kontratave, përfshirë atë me vlerë prej 10 milionë eurosh.
“Në këtë kontratë ka diferenca të mëdha të çmimeve, në krahasim me kontratën e parë të para nëntë muajve, ka pozicione të cilat nga 90 euro pas nëntë muajve janë rritur në 300 euro, dhe pozicione të tjera nga 50 euro me 250 euro nga kontrata e re. Është shumë e rëndësishme që Prokuroria Speciale t’i hetojë këto dy kontrata, sepse Komuna e Prishtinës paraprakisht e ka pasur një llogaritje se sa mund të jenë çmimet në treg, sepse kanë nënshkruar para nëntë muajve, para se ta nënshkruajnë kontratën e madhe prej 10 milionë euro, me një kompani tjetër, në të cilën ne kemi dyshime se kompania e parë ka përfunduar punimet në kryeqytet, mirëpo është faturuar kompania e cila ka fituar 10 milionë euro kontratën e ndriçimit ‘Smart’”.
Ndaj këtyre pretendimeve reagoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Në një postim në Facebook, ai e cilësoi veprimin e përfaqësuesve të Vetëvendosjes si “show politik”, duke i kritikuar për mungesë të propozimeve konkrete në Kuvendin Komunal. Rama u bëri thirrje që, siç shkroi ai, të merren me punë në të mirë të qytetarëve të Prishtinës.
Kujtojmë se më 30 nëntor 2026, Rama është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit, lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.
