Një person ka humbur jetën dhe të paktën një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri të regjistruara mbrëmjen e së dielës pranë fushës së futbollit të shkollës së mesme “Madison”, në shtetin amerikan të Illinois.
Ngjarja ka shkaktuar alarm të madh, ndërsa autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i krimit dhe vijojnë të jenë në arrati. Në zonë janë angazhuar forca të shumta policore, të cilat po zhvillojnë kontrolle për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Sipas raportimeve, shërbimet e emergjencës u njoftuan për të shtëna me armë zjarri në kompleksin shkollor. Regjistrimet audio nga qendra e dispeçerisë bëjnë të ditur se dy persona u gjetën të plagosur në terren. Njëri prej tyre kishte marrë plagë të rënda në fytyrë dhe kishte humbur shumë gjak.
Ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë për t’u dhënë ndihmën e parë viktimave, por pavarësisht përpjekjeve, njëri prej tyre nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas incidentit, një numër i madh efektivësh policie mbërritën në vendngjarje, duke rrethuar zonën pranë fushës së futbollit dhe duke siguruar perimetrin për mbledhjen e provave. Në operacion janë përfshirë disa departamente policore, përfshirë edhe Zyra e Sherifit të Qarkut Madison.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë kërkimet për personat e dyshuar, të cilët dyshohet se janë larguar në këmbë menjëherë pas të shtënave.
The post Të shtëna me armë zjarri pranë një shkolle në Illinois, një i vdekur dhe një i plagosur appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë
