Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat e fundit, duke akuzuar Partinë Demokratike dhe liderin e saj, Sali Berisha, për instrumentalizimin politik të lëvizjes studentore.
Sipas Ismailit, protestat e nisura në emër të studentëve janë shndërruar në një mjet politik për interesa pushteti. Ajo u shpreh se deklarata e Berishës se protestat janë iniciuar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike konfirmon, sipas saj, përfshirjen politike në organizimin e tyre.
“Sot Saliu na tha se protestat i ka iniciuar forumi i të rinjve demokratë. Sa keq. Të rinj demokratë, në qoftë se do të bëheni si mësuesi, do merrni rezultatet e mësuesit”, shkruan Ismaili.
Në reagimin e saj, ministrja akuzon organizatorët e protestave për nxitje të dhunës dhe dëmtim të institucioneve publike e private, duke pretenduar se gjatë tubimeve janë sulmuar forcat e rendit, janë dëmtuar objekte dhe janë krijuar kushte për veprimtari kriminale.
“Kjo protestë ka nxjerrë në pah shumë aleanca fluide dhe komplementare, bashkëpunime interesante që si konkluzion kanë zhveshjen e trotuareve nga gurët dhe gjuajtjen e forcave të rendit, djegien e degëve të bankave, zyrave të Gjykatës së Lartë, dyqane e kioska”, tha ajo.
Ismaili publikoi gjithashtu shifra që, sipas saj, pasqyrojnë pasojat e protestave. “Në statistikat gjatë këtyre ditëve, 192 janë efektivë të lënduar, 96 janë protestues dhe 36 janë kalimtarë”, u shpreh ministrja.
Duke lidhur situatën me procesin e integrimit evropian, Ismaili deklaroi se sa herë Shqipëria shënon progres në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, opozita, sipas saj, zgjedh rrugën e përplasjes.
“Çudi se si për çdo kapitull të mbyllur të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ju hapni një kapitull të ri dhune”, shkroi ajo.
Në postimin e saj, ministrja hodhi poshtë edhe pretendimet për zhvillime ndërkombëtare në favor të Berishës, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Si ngushëllim që heqja e non gratës është një gënjeshtër që vetëm ju mund ta besoni”, u shpreh Ismaili.
Një pjesë të veçantë të reagimit të saj ministrja ia kushtoi studentëve, duke i ftuar ata të mos bëhen pjesë e axhendave politike dhe të vazhdojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të kërkuar më shumë përmes dialogut.
“Qeveria është e hapur për dialog. Kryeministri është i hapur për dialog. Mos lejoni që t’ju përdorin për të bërë presion për të marrë a negociuar një pushtet që nuk e fituan dot me vota”, deklaroi ajo.
Gjithashtu, Ismaili iu drejtua edhe prindërve, duke u bërë thirrje që të mos lejojnë përfshirjen e të miturve në përplasje dhe situata të dhunshme.
“Të dashur prindër, mos i lejoni fëmijët tuaj minorenë të përdoren si mish për top në vijë të parë, duke i ushqyer me urrejtje kundër policëve, kundër shtetit, kundër institucioneve”, tha ministrja.
Në përfundim të reagimit të saj, Ismaili theksoi se rruga evropiane e Shqipërisë është e pakthyeshme dhe se qeveria do të vijojë mandatin e saj deri në përfundim.
“Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë asnjë ditë dhe nuk kthehet pas. Tashmë kemi hipur në një tren ku destinacioni i vetëm i ndalesës së Shqipërisë është Bashkimi Evropian”, përfundoi ajo.
