Nga Altin Ketro
Në listën e kërkesave që pedagogët pro-PD kishin paraqitur në peticionin e tyre, më tërhoqi vëmendjen pika 2, në të cilën kërkohej: “Krijimi i një qeverie tranzitore (kujdestare) që të sigurojë stabilitetin institucional dhe qetësimin e situatës”.
Është ulëritëse sesi një trupë që e konsideron veten pjesë të elitës së kombit, siç janë pedagogët universitarë, arrin të nënshkruajë një kërkesë të tillë. Jo vetëm politikisht diletante, por edhe fyese për inteligjencën e kujtdo që ka dy pare mend në kokë.
Sot që flasim, mazhoranca ka 85 mandate në Kuvend, 14 më shumë se minimumi i nevojshëm për të formuar qeverinë. Në këto kushte, me çfarë mekanizmi politik do të bëhej e mundur? Një qeveri kujdestare nuk krijohet thjesht sepse e kërkon opozita, pedagogët apo studentë qofshin, por duhet një marrëveshje dhe mbështetja e nevojshme parlamentare.
Me një mazhorancë të konsoliduar si kjo e jona, ose vazhdon qeverisja me kryeministrin aktual, ose ai largohet vullnetarisht dhe e njëjta shumicë zgjedh një kryeministër tjetër. Zgjedhjet e parakohshme brenda afatit 45 ditor janë një tjetër mundësi, por edhe për këtë nevojitet vullneti i kësaj mazhorance.
Nuk besoj se pedagogët nuk e dinë këtë gjë. Pikërisht këtu qëndron problemi. Si mund të nënshkruash një kërkesë të tillë pa shpjeguar se si mund të realizohet politikisht? Me dhunë e ultimatume molotoviste? Çfarë pretendojnë konkretisht? Që mazhoranca t’i përulet presionit të rrugës? Apo që të votojë vetë një qeveri që do t’i marrë pushtetin, ndërkohë që i ka numrat për të vazhduar qeverisjen?
Nuk e di sa e kanë menduar pedagogët këtë pjesë kur kanë firmosur peticionin. Por, nëse edhe sot këmbëngulin te kjo pikë, atëherë le të shpjegojnë pse duhet ta pranonte mazhoranca një qeveri kujdestare, kur mund të vijojë qeverisjen. Dhe pse do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Përpara se të kërkosh një qeveri kujdestare, duhet të dish edhe si mund të krijohet ajo. Përndryshe, kemi të bëjmë me një kërkesë që në thelb nuk është veçse një slogan propagandistik për maskat e rrugës dhe SHQUP-istat buzë Lanës, larg nivelit intelektual që pretendojnë se përfaqësojnë.
