Partia Demokratike ka denoncuar atë që e cilëson si shkelje të së drejtës për mbrojtje të protestuesve të arrestuar gjatë protestave të ditëve të fundit.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, tha se avokatët e protestuesve të ndaluar kanë njoftuar se nënkryetarja e Gjykatës së Tiranës, Migena Laska, ka urdhëruar që lista e personave të arrestuar, të cilët do të paraqiten të nesërmen në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë, të mos publikohet dhe të mos u vihet në dispozicion avokatëve.
Garo e cilësoi këtë një vendim të paprecedentë në historinë e drejtësisë, duke pretenduar se synon të pengojë avokatët e zgjedhur nga të ndaluarit dhe t’u caktojë atyre mbrojtës të tjerë.
“Avokatët e protestuesve të ndaluar nga Policia gjatë revoltës studentore njoftojnë se nënkryetarja e Gjykatës së Tiranës, Migena Laska, ka urdhëruar të mos publikohet, që do të thotë të mos u jepet avokatëve, lista e personave të arrestuar në protestë që paraqiten nesër për masë sigurie në gjykatë. Ky është vendimi më i pashembullt në historinë e drejtësisë. Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtës për mbrojtje efektive. Me sa duket, ajo ka marrë urdhër politik që të përjashtojë kështu avokatët e zgjedhur nga të ndaluarit dhe t’u emërojë atyre avokatë patronazhistë! Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë shkelje të rëndë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutës dhe ligjeve të vendit!”
Burimi: Politika
