Delegacioni i Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë kanë shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht në Tiranë, ku protestat janë shoqëruar me akte dhune dhe raportime për përdorim të tepruar të forcës nga policia.
Në një deklaratë të përbashkët, kryetari i delegacionit, eurodeputeti Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, eurodeputeti Andreas Schieder, dënojnë përshkallëzimin e dhunshëm të protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.
Ata u bëjnë thirrje protestuesve të tregojnë përmbajtje maksimale dhe të shmangin çdo akt dhune, duke theksuar se veprime të tilla nuk kontribuojnë në zgjidhjen e situatës dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.
Një tjetër shqetësim i ngritur në deklaratë lidhet me raportimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve. Për këtë arsye, eurodeputetët u kërkojnë autoriteteve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe institucioneve përkatëse të bëjnë gjithçka për të përcaktuar përgjegjësitë individuale për çdo akt dhune, përfshirë përdorimin e tepruar të forcës.
Deklaratë e përbashkët e kryetarit të Delegacionit për Shqipërinë dhe raportuesit të përhershëm për Shqipërinë:
Në emër të Delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe në cilësinë e raportuesit të përhershëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë, shprehim shqetësimin tonë të thellë për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend dhe, në veçanti, në Tiranë.
Ne dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të përmbahen nga çdo akt dhune, pasi këto veprime nuk kontribuojnë në zgjidhjen e situatës dhe nuk kanë vend në demokraci.
Shprehim gjithashtu shqetësim serioz për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës policore ndaj protestuesve. U bëjmë thirrje autoriteteve të tregojnë vetëpërmbajtje. Gjithashtu, u bëjmë thirrje organeve përkatëse të bëjnë përpjekjet maksimale për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë përdorimin e tepruar të forcës.
Theksojmë se e drejta për lirinë e tubimit paqësor dhe të shprehjes mbrohet si nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian, ashtu edhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Protestuesit – në këtë rast, të rinjtë – kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre, veçanërisht për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre. Prandaj, u bëjmë thirrje autoriteteve të garantojnë ushtrimin e lirisë së tubimit, përfshirë protestat paqësore.
Bëjmë thirrje për një dialog paqësor, konstruktiv dhe të sinqertë ndërmjet të gjitha palëve të përfshira, me synimin për të gjetur një zgjidhje kuptimplotë për adresimin e çdo shqetësimi të shprehur nga protestuesit, në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet europiane.
Respektimi i shtetit të së drejtës mbetet kriteri kryesor dhe kusht i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Burimi: Politika
