Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga çdo akt dhune, në një kohë kur protestat dhe bojkotimi i mësimit janë shtrirë në disa qytete të vendit.
Përmes një mesazhi publik, policia u kërkon nxënësve të mos përfshihen në veprime që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe të largohen menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë.
Një apel i veçantë u drejtohet prindërve, të cilëve u kërkohet të këshillojnë fëmijët të qëndrojnë larg situatave të rrezikshme. “Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët!”, thekson Policia e Shtetit, duke shtuar se efektivët janë në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike.
“THIRRJE E POLICISË SË SHTETIT DREJTUAR NXËNËSVE DHE PRINDËRVE
Të dashur nxënës, të nderuar prindër!
Ju bëjmë thirrje të ruani qetësinë dhe të distancoheni nga çdo akt dhune!
Të dashur nxënës, mos u përfshini në veprime të dhunshme që rrezikojnë jetën, shëndetin dhe të ardhmen tuaj! Mos lejoni që askush t’ju përfshijë në situata të rrezikshme!
Largohuni menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë!
Një apel i veçantë për prindërit!
Kujdesuni për fëmijët tuaj!
Këshillojini fëmijët të qëndrojnë larg çdo situate të dhunshme.
Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët!
Policia e Shtetit është në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e çdo qytetari”.
Burimi: Kronikë
