Policia e Shtetit ka ekzekutuar mbrëmjen e sotme urdhërarrestet e lëshuara nga Prokuroria e Fierit për ndalimin e ish-kreut të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Ertis Shehu, si dhe të sipërmarrësit Kastriot Hasko. Dy të arrestuarit ishin prej muajsh nën hetim nga organet e drejtësisë për përfshirje në një skemë falsifikimi të dokumenteve të pronësisë në zonën e Semanit.
Lidhur me ngjarjen, burimet sqarojnë se në pranga ka rënë sipërmarrësi Kastriot Hasko, i bërë i njohur për publikun për shkak të një konflikti gjyqësor dhe mediatik mbi një sipërfaqe prej 37 hektarësh tokë në Palasë, duke përgënjeshtruar raportimet e para mediatike që e ngatërronin atë me drejtuesin e një linje kafeje dhe hoteli në kryeqytet.
Hetimet e prokurorisë vijojnë për zbardhjen e plotë të veprimeve të paligjshme dhe përgjegjësisë ligjore të të arrestuarve në tjetërsimin e pronave në bregdetin e Semanit, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar strukturave përkatëse për veprime të mëtejshme.
