Pas afro tre dekadash në arrati, Sokol Hoxha është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë. I shumëkërkuari mbërriti në vend me një fluturim çarter, ndërsa ekstradimi i tij shënon fundin e një prej dosjeve më të vjetra të kërkimit ndërkombëtar.
Sipas gazetares Anila Hoxha, ekstradimi vjen në një kohë kur autoritetet britanike vijojnë hetimet lidhur me identitetin që ai përdori për vite me radhë. Hoxhës i është revokuar pasaporta britanike, e lëshuar rreth viteve 2000 me identitetin Hysen Gashi, dokument me të cilin ai hyri më pas edhe në Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, pas arrestimit të tij në SHBA më 5 maj të këtij viti, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat e bashkëpunimit me homologët belgë për transferimin në Shqipëri të dënimit të përjetshëm që ai ka marrë në Belgjikë, ku është shpallur fajtor për vrasjen e Brunilda Dervishit.
Kush është Sokol Hoxha?
51 vjeçari Sokol Hoxha nga Fieri, ishte në kërkim ndërkombëtar prej vitit 1997. Në Shqipëri ai është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos, ngjarje e ndodhur më 30 mars 1997.
Pak muaj më vonë, në gusht të vitit 1997, ai u largua jashtë vendit dhe më pas u dënua nga Gjykata e Brukselit me burgim të përjetshëm për vrasjen e 19-vjeçares shqiptare Brunilda Dervishi, të cilën, sipas autoriteteve, e kishte shfrytëzuar më parë për prostitucion.

