Qytetari Olsjan Laskaj ka denoncuar kompaninë Super Profesionisti për shërbim skandaloz dhe për abuzim me faturimin e shërbimeve.
Kompania ofron shërbime hidraulike, elektrike, zhbllokim dyersh, lyerje, riparim të kondicionerëve etj. Laskaj e kishte kontaktuar kompaninë përmes një faqeje në internet, por nē fund është befasuar nga faturimi.


Kompania Super Profesionisti shpk rezulton se është themeluar në shtator të vitit 2025 nga Azis Shabanaj. Në faqen e saj kompania shkruan se ‘…e dimë sa e rëndësishme është të kesh dikë të besueshëm kur ndodh një emergjencë në shtëpi. Një tub që çahet, një dritë që fiket papritur, një bravë që nuk hapet… të gjitha këto janë situata stresuese që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Ne jemi këtu për t’i zgjidhur me profesionalizëm dhe pa vonesë‘.

Sipas një informacioni policor, 29-vjeçari Azis Shabanaj është përfshirë në aktivitetin e call centrave. Në vitin 2021, kur ishte vetëm 24 vjeç, Shabanaj themeloi kompaninë ‘Pizzeri Hakuna Matata’ me kapital 100 mijë lekë, me objekt shërbim ushqimi catering, restorant, bar, ushqimore etj. Kompania rezulton pa bilance dhe debitore në tatime.

Në korrik të vitit 2023, Shabanaj, i njohur si ‘motoristi’ i call centrave themeloi kompaninë Alphatek, me objekt në fushën e teknologjisë së informacionit dhe programimit. Edhe kjo kompani rezulton pa bilance, duke ngritur dyshime për aktivitet fiktiv dhe kamuflim të aktiviteteve të tjera. Në pronësi të Azis Shabanaj rezulton edhe kompania e call centerave ARTHUR INTERNATIONAL COMPANY, themeluar në 2021 dhe pezulluar dy vite më pas.


