Kryeministri Edi Rama vijon t’i mëshojë pretendimit se protestat në vend janë të orkestruara nga Greqia me argumentin se xhelozon zhvillimin e Shqipërisë. Rama shprehet në Facebook se “Greqia vazhdon të shitet te të huajt me sukses”, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, po krijon përçarje dhe debate që pengojnë zhvillimin ekonomik.
“Na i kanë futur xixat nga të katër anët që të zihemi mesveti edhe për 1+1 që bëjnë 2, e të vijmë vërdallë në udhëkryq kur konkurrenca vazhdon vrapin për më shumë investime të huaja”, u shpreh kryeministri.
Rama ngriti pikëpyetje mbi kundërshtimin e projekteve të mëdha turistike dhe ekonomike, duke theksuar se vendet e rajonit po punojnë për të tërhequr investitorë, ndërsa në Shqipëri debati po fokusohet te rezistenca ndaj tyre.
Ai ka marrë si shembull zhvillimet në Mykonos, ku marka të njohura ndërkombëtare të hotelerisë dhe investitorë të mëdhenj po realizojnë projekte të reja shumëmilionëshe.
Sipas Ramës, refuzimi i investimeve të huaja përbën një “ftesë për vetëprapakthim kolektiv”, ndërsa Shqipëria duhet të vazhdojë të konkurrojë për tërheqjen e kapitaleve dhe zhvillimin e sektorit turistik. Ai e bëri të qartë që nuk do t’i thotë jo investimit në Zvërnec.
“Po tërë bota e zhvillon turizmin dhe ekonominë duke u matur me sa investime të huaja tërheq, ndërsa ne do të matemi me sa rezistojmë kundër tyre?! Kjo është një ftesë për vetëprapakthim kolektiv që Shqipëria nuk mund, nuk duhet dhe nuk ka për ta pranuar.”-shprehet Rama.
Postimi i Ramës:
Greqia vazhdon “të shitet tek të huajt” me sukses, kurse ne na i kanë futur xixat nga të katër anët që të zihemi mesveti edhe për 1+1 që bëjnë 2, e të vijmë vërdallë në udhëkryq kur konkurrenca vazhdon vrapin për më shumë investime të huaja… Po si mund t’i mbyllim ne rrugët për kapitalet e mëdha, tani që ato po nisin të vijnë në Shqipëri pas tërë mundit të madh që kemi bërë për të ardhur në këtë pikë?!
Po tërë bota e zhvillon turizmin dhe ekonominë duke u matur me sa investime të huaja tërheq, ndërsa ne do të matemi me sa rezistojmë kundër tyre?! Kjo është një ftesë për vetëprapakthim kolektiv që Shqipëria nuk mund, nuk duhet dhe nuk ka për ta pranuar.
Ja përmbajtja e artikullit: Marka të mëdha ndërkombëtare të hotelerisë po investojnë në Mykonos, ku hotele të reja me pesë yje nga Four Seasons, Fouquet’s dhe MGallery janë planifikuar të hapen së shpejti. Pavarësisht tensioneve gjeopolitike dhe një sezoni sfidues për turizmin, Mykonos vazhdon të mbetet një nga destinacionet premium më të rëndësishme në Mesdhe. Kompanitë ajrore po rrisin numrin e vendeve të disponueshme në fluturimet ndërkombëtare për sezonin 2026, me një rritje prej 7.1% të kapacitetit hyrës. Po shtohen gjithashtu linja të reja ajrore nga Roma, Londra, Abu Dhabi dhe Dubai, duke forcuar më tej lidhjet ndërkombëtare të Mykonosit. Një resort i ri me pesë yje, me vlerë mbi 100 milionë euro dhe i lidhur me investitorin egjiptian Naguib Sawiris, pritet të hapë dyert në maj të vitit 2027.

