Teksa protesta qytetare hyn në ditën e saj të nëntë dhe debati publik në vend vazhdon të dominohet nga zhvillimet në shesh, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të përfshihet në një përplasje publike me Iranin, pas deklaratave ironike që erdhën nga Teherani.
Reagimi i Ramës vjen pasi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, hodhi poshtë akuzat e tij për përhapje dezinformimi dhe ironizoi duke thënë se “ndoshta do të thonë se edhe flamingot ishin agjentë të sigurisë iraniane”.
Në përgjigjen e tij, Rama iu drejtua autoriteteve iraniane me tone të ashpra.
“Oh, vërtet? Pra tani papritur ju interesojnë shqiptarët? Të njëjtët shqiptarë, institucionet, shërbimet publike dhe infrastruktura digjitale e të cilëve u vunë në shënjestër të një fushate kibernetike që synonte të paralizonte një vend të tërë, dhe për të cilën hetimet ndërkombëtare kanë gjurmuar aktorë të lidhur dhe të mbështetur nga regjimi juaj. Ne i njohim shumë mirë ato gjurmë. Ne i njohim metodat. Ne i njohim kërcënimet”, shkruan Rama.
Kryeministri argumenton se konflikti mes Shqipërisë dhe regjimit iranian nuk lidhet me çështje gjeopolitike apo me Izraelin, por me qëndrimin e Shqipërisë ndaj opozitarëve iranianë.
“Ju nuk mund ta falni Shqipërinë që u ka dhënë strehë burrave dhe grave iraniane të cilët ju jeni përpjekur t’i heshtni përmes intimidimit, burgosjes dhe vdekjes, thjesht sepse guxojnë të mendojnë ndryshe, të flasin ndryshe ose të ëndërrojnë ndryshe. Por ne jemi shqiptarë. Ne nuk i braktisim njerëzit që trokasin në derën tonë duke kërkuar mbrojtje nga shtypja”, vijon ai.
Rama përmendi gjithashtu sulmet kibernetike të viteve të fundit ndaj institucioneve shqiptare, duke pretenduar se Shqipëria ka ndërtuar tashmë një sistem mbrojtjeje që i ka bërë të pafrytshme sulmet e mëtejshme.
“Pas sulmit tuaj të madh, ne ndërtuam një mburojë kibernetike rezistente dhe të teknologjisë së lartë që e ka bërë Shqipërinë shumë më të fortë dhe shumë më të përgatitur për t’u përballur me sulmet tuaja të dëshpëruara kibernetike, të cilat vazhdojnë pa sukses”, shkruan kryeministri.
Në fund të reagimit, Rama u ndal edhe tek situata e brendshme në Iran dhe të drejtat e qytetarëve iranianë.
“Populli iranian meriton liri. Ai meriton dinjitet. Ai meriton të drejtën të flasë pa frikë. Dhe Shqipëria nuk do të kërkojë kurrë falje, nuk do të tërhiqet kurrë dhe nuk do të intimidohet kurrë për qëndrimin në anën e këtyre vlerave”, deklaron ai.
Përplasja mes Tiranës dhe Teheranit vjen në një moment kur vëmendja e opinionit publik është përqendruar tek protesta qytetare dhe zhvillimet politike të ditëve të fundit. Ndërsa qeveria këmbëngul se pas një pjese të narrativave që qarkullojnë në rrjetet sociale qëndrojnë aktorë të huaj, protestuesit argumentojnë se revolta nuk ka nevojë për shtysa nga jashtë, pasi buron nga pakënaqësia e akumuluar prej vitesh ndaj korrupsionit, qeverisjes dhe klasës politike në tërësi.
Zvërneci mund të ketë qenë shkëndija që ndezi reagimin, por fakti që protesta ka hyrë në ditën e nëntë me pjesëmarrje të lartë tregon se zemërimi i qytetarëve shkon përtej një projekti të vetëm dhe lidhet me një pakënaqësi shumë më të gjerë ndaj sistemit politik shqiptar.

