AlbTimes
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Politikë

Institucionalizimi i barazisë së shqiptarëve

by SHT Media
23/02/2026
in Politikë
6
0
Defaktorizimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut
6
SHARES
303
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Institucionalizimi i barazisë së shqiptarëve – nga marrëveshja politike te garancia juridike

 

Evolucioni i praktikës politike ndër vite dëshmon se ndërmjet normës deklarative dhe garancisë juridike ka ekzistuar një hendek i rrezikshëm. Për rrjedhojë,  Marrëveshje e Majit e vitit 2007, e cila sanksiononte parimin që subjekti shqiptar fitues në kampusin shqiptar duhet të ishte pjesë e ekzekutivit. Në aspektin juridik, kjo marrëveshje mbeti në nivelin e një zotimi politik pa përkthim në normë të detyrueshme ligjore. Ky fakt përbën një nga dobësitë më të mëdha strategjike të subjekteve shqiptare, të cilat nuk arritën ta institucionalizojnë këtë parim në ligjin zgjedhor ose në një dispozitë kushtetuese të pakthyeshme.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001 përbën një nga aktet më domethënëse të inxhinierisë kushtetuese në Ballkanin post-konfliktual, jo vetëm si instrument për ndërprerjen e një përplasjeje të armatosur, por si projekt gjithëpërfshirës për rikonceptimin e natyrës së shtetit unitar në Maqedonia e Veriut. Ajo shënoi një kthesë paradigmatike nga një model i centralizuar mazhoritar drejt një rendi me elemente të demokracisë konsensuale dhe bashkëqeverisjes ndëretnike, duke ruajtur integritetin institucional të shtetit, por duke e ristrukturuar atë përmes mekanizmave të ndarjes së pushtetit, përfaqësimit të garantuar dhe balancave ndëretnike. Në këtë kuptim, Marrëveshja e Ohrit institucionalizoi barazinë politike të shqiptarëve jo si akt tolerimi apo koncesion të përkohshëm, por si komponent strukturor të shtetformësisë së përbashkët, duke e njohur komunitetin shqiptar si faktor të pazëvendësueshëm në ndërtimin, legjitimitetin dhe funksionimin e rendit kushtetues.

Megjithatë, evolucioni i praktikës politike ndër vite dëshmon se ndërmjet normës deklarative dhe garancisë juridike ka ekzistuar një hendek i rrezikshëm. Degradimi i frymës së Marrëveshjes nuk ka ardhur përmes anulimit formal të saj, por përmes relativizimit gradual të një prej parimeve të saj më të rëndësishme: përfaqësimit legjitim të shqiptarëve në ekzekutiv si reflektim i vullnetit elektoral në kampusin politik shqiptar. Pikërisht mungesa e kodifikimit të këtij parimi në formë të detyrueshme juridike ka krijuar hapësirë për interpretim selektiv dhe për manipulim politik të balancave ndëretnike.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2006 përbëjnë pikënisjen e kësaj dinamike. Vendimi i liderit të atëhershëm të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, për të mos përfshirë në qeveri subjektin shqiptar që kishte fituar shumicën e votave në kampusin shqiptar, nuk ishte thjesht një akt taktik koalicioni. Ai përfaqësonte një zhvendosje paradigmatike nga logjika e bashkëqeverisjes konsensuale drejt një koncepti më fleksibël, ku përfaqësimi i shqiptarëve mund të trajtohej si çështje negociate dhe jo si parim i detyrueshëm politik. Edhe pse nuk ekzistonte një dispozitë e qartë ligjore që ta ndalonte këtë veprim, në planin material ai cenonte frymën e arkitekturës së re shtetërore të ndërtuar pas vitit 2001.

Presioni i fortë i bashkësisë ndërkombëtare çoi në arritjen e të ashtuquajturës Marrëveshje e Majit në vitin 2007, e cila sanksiononte parimin që subjekti shqiptar fitues në kampusin shqiptar duhet të ishte pjesë e ekzekutivit. Në aspektin politik, kjo ishte një përpjekje për të rikthyer ekuilibrin e cenuar dhe për të ruajtur stabilitetin ndëretnik. Por në aspektin juridik, kjo marrëveshje mbeti në nivelin e një zotimi politik pa përkthim në normë të detyrueshme ligjore. Ky fakt përbën një nga dobësitë më të mëdha strategjike të subjekteve shqiptare, të cilat nuk arritën ta institucionalizojnë këtë parim në ligjin zgjedhor ose në një dispozitë kushtetuese të pakthyeshme. Si rrjedhojë, ai mbeti i varur nga vullneti i shumicës maqedone dhe nga konfigurimet e ardhshme politike.

Kriza politike e viteve 2016–2017 e thelloi këtë problematikë. Në një kontekst tensioni të lartë institucional dhe nën presion të faktorit ndërkombëtar për stabilizim dhe integrim euro-atlantik, subjekti shqiptar me më shumë vota pranoi të hyjë në ekzekutiv në rrethana që relativizonin parimin e përfaqësimit legjitim. Ky veprim u arsyetua si zgjedhje pragmatike për të shmangur vakuumin institucional, por në planin afatgjatë ai krijoi një precedent të ri: parimi i fituesit shqiptar mund të anashkalohej nëse rrethanat politike e impononin një zgjidhje tjetër. Në këtë mënyrë, norma politike u zhvesh nga karakteri i saj themelor dhe u shndërrua në instrument fleksibël.

Zhvillimet pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 e konsoliduan këtë precedent. VMRO-DPMNE, si forcë fituese në kampusin maqedon, e anashkaloi përfundimisht parimin e përfshirjes automatike të fituesit shqiptar në ekzekutiv. Kjo nuk përbënte më devijim të përkohshëm, por institucionalizim të një praktike që kishte filluar të normalizohej ndër vite. Mungesa e bazës ligjore për Marrëveshjen e Majit bëri që ajo të shpërbëhej pa pasoja juridike, duke e zhvendosur çështjen nga sfera e obligimit në atë të kalkulimit politik.

Nga perspektiva e teorisë kushtetuese dhe e modeleve të demokracisë konsensuale, një shtet multietnik nuk mund të mbështetet vetëm në marrëveshje politike të paformalizuara. Stabiliteti i tij kërkon mekanizma të pakthyeshëm që garantojnë pjesëmarrjen e komuniteteve konstituive në vendimmarrje. Shtetformësia shqiptare, në këtë kuptim, nuk është nocion simbolik apo retorik, por përkthehet në fuqi reale në ekzekutiv dhe në ndikim institucional në të gjitha nivelet e qeverisjes. Në mungesë të një garancie ligjore që fituesi në kampusin shqiptar të jetë pjesë përbërëse e ekzekutivit, barazia politike mbetet e brishtë dhe e cenueshme nga ciklet elektorale.

Rikthimi i ekuilibrit kërkon një ndërhyrje të qartë normative. Subjektet politike shqiptare, nëse synojnë të rikthejnë pozitën e tyre shtetformuese, duhet të artikulojnë si prioritet strategjik miratimin e një dispozite të qartë dhe të pakthyeshme në ligjin zgjedhor ose në rendin kushtetues, që garanton përfaqësimin e fituesit shqiptar në ekzekutiv. Një mekanizëm i tillë do të eliminonte ambiguitetin politik, do të forconte legjitimitetin institucional dhe do ta kthente barazinë nga koncept i negociueshëm në normë të detyrueshme.

Nëse Marrëveshja e Ohrit ishte themeli i një shteti të përbashkët, atëherë garancia e shtetformësisë reale të shqiptarëve është kushti për mbijetesën e këtij themeli. Pa këtë garanci, rreziku i degradimit institucional do të thellohet dhe debati publik do të zhvendoset drejt alternativave të tjera të rregullimit shtetëror. Përkundrazi, nëse barazia përkthehet në normë juridike të pakthyeshme, procesi i avancimit kushtetues do të zhvillohet natyrshëm, duke konsoliduar një model shteti që e ndërton stabilitetin mbi përfshirjen dhe jo mbi përjashtimin. Një shtet i qëndrueshëm nuk e sheh barazinë si kërcënim, por si kusht themelor të ekzistencës së tij.

Shkup,23.02.2026

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

Elisa, ky yll i zbukuruar me byrek hithrash dhe dhallë

23/11/2026

Aksident fatal në Itali, humb jetën 31-vjeçarja shqiptare, tre fëmijë të plagosur

22/11/2026

Plot 58 laureatë të Çmimit Nobel bashkohen për t’i shpëtuar jetën kampionit iranian

22/11/2026

Inflacioni 7.1% në Kosovë, ekspertët në alarm: Kurti të ndërhyjë, po ndikon në jetesën e qytetarëve

22/11/2026

Manastir, Rama me të rinjtë: Shqipja është pasuria jonë e përbashkët, duhet ta mbrojmë dhe ta trashëgojmë

22/11/2026

Djali i Millorad Dodikut mandatohet për formimin e Qeverisë së re të Republikës Sërpska

22/11/2026

I kushtoi mandatin e deputetit, hetimi ndaj Çyrbjes mbyllet pa akuza, Prokuroria: Nuk kreu vepër penale!

22/11/2026

Shumë vodka, pak lindshmëri: Arsyeja pse po pakësohet numri i rusëve?!

22/11/2026

Shpërthim në një garazh në Zvicër, shqiptari rrëfen panikun e banorëve dhe kujtimet e luftës në Kosovë

22/11/2026

Qëllohet tre herë me thikë një person në Korçë

22/11/2026

Rama në shtëpinë muze të Alfabetit: Tirana dhe Prishtina të ngrenë një bibliotekë digjitale me libra shqip

22/11/2026

Rama në Shtëpinë e Alfabetit në Manastir: Këtu nuk u vendos për luftë e kufij, por për gjuhën që bashkoi shqiptarët

22/11/2026

“E dashura ka varësi ndaj meje”, shqiptari i dënuar në Britani përpiqet të shmangë dëbimin

22/11/2026

“The Guardian”: Evropa përballë një supercikli zgjedhor, rritja e së djathtës nacionaliste rrezikon të tronditë themelet e BE-së

22/11/2026

Franca miraton ligjin për përdorimin e armëve nga policia, e majta e kundërshton: Po jepni leje për të vrarë

22/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Elisa, ky yll i zbukuruar me byrek hithrash dhe dhallë
  • Aksident fatal në Itali, humb jetën 31-vjeçarja shqiptare, tre fëmijë të plagosur

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.