Teksa jashtë Kuvendit po mbahet protestë kundër kastës së vjetër poltike, seanca e fundit parlamentare për këtë sesion është shoqëruar akuza të forta mes kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe kryedemokratit Sali Berisha.
Përplasja ka nisur pas deklaratave të Ballës nga foltorja e Kuvendit, i cili i është drejtuar opozitës duke komentuar situatën brenda radhëve të saj dhe protestat që zhvillohen jashtë godinës.
“Ju vuani nga Sindroma e Stokholmit, ku i përdhunuari bie në dashuri me përdhunuesin. Ia plotëson dot kërkesën protestuesve?! Saliu në burg, thotë protestuesi,” iu drejtua Balla kreut të grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi.
Ballës iu përgjigj vetë kreu i PD, Sali Berisha, i cili lëshoi akuza të rënda në adresë të kreut të grupit socialist, teksa e quajti përfaqësuesi i karteleve të drogës.
“Parafolësi është përfaqësuesi më i shëmtuar i karteleve të drogës, është shërbëtori më i shpifur i tyre, është njeriu që ka liruar dy terroristë që vendosën tritolin në shalën e biçikletës së Lulzim Kullës. Është negociatori i pazarit të votave”, tha Berisha.

