Familjarët i japin sot lamtumirën e fundit të ndjerës, 75-vjeçares Dashurie Rrapaj, e cila u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, i cili më pas kreu vetëvrasje.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në orën 12:00 në Allambres, vendlindjen e saj, ndërkohë, trupi i autorit ndodhet ende në morg. Për ti dhënë lamtumirën e fundit, kanë ardhur nga emigracioni edhe fëmijët e çiftit të ndjerë.
Në një prononcim për mediet, fqinja Natasha Vrapi u shpreh se çifti mbahej për njerëz të mirë. Ajo tha se kishte pasur kontakte të shpeshta me zonjën, të cilën e konsideronte një grua të respektueshme.
“Kisha kontakt, shkonin shumë burrë dhe grua. Para 25 vitesh ka marrë truallin e burrit tim. Hynin e dilnim vite më parë. Kanë qenë shumë njerëz të mirë, nuk e di se nga i erdhi. Herën e fundit që piu kafe me mua, gruaja më tha, pak do rri se kam burrin sëmurë. Të gjithë fëmijët i ka në Greqi dhe një djalë e ka në Angli. Vetëm një djalë ka në Shqipëri. Muajin e fundit kam parë që djali ka qenë këtu me këta. Mendoj që sherret mund të kenë qenë për djalin, ajo si nënë është hedhur në ndihmë të djalit.
Trupi i pajetë i zonjës është në shtëpi, ndërsa trupi i zotërisë është në morg. Fisi i Shefitit nuk ka ardhur fare, vetëm njerëzit e Dashurisë. Dje kalova andej, kur ika ishte qetësi, ndërsa kur u ktheva po ziheshin. I kërkova burrit të qëndronin për t’i ndarë, se më vinte keq. Kur e mora vesh, kam qarë për atë grua, sepse ishte zonjë grua”, u shpreh fqinja.
Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në fshatin Kuman të Roskovecit, teksa viktimat janë Dashurie Rrapaj, rreth 75 vjeçe dhe Shefit Rrapaj, 80 vjeç.











