Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Uashingtoni dhe Izraeli kanë objektiva të përbashkëta në luftën kundër Iranit, edhe pse pranoi se strategjitë e tyre nuk janë plotësisht identike.
“Besoj se kemi objektiva të ngjashëm, por mund të ketë disa dallime të vogla”, u shpreh ai kur u pyet nëse strategjia e Izraelit ndryshon nga ajo e SHBA-së.
Trump theksoi gjithashtu koordinimin e ngushtë mes forcave ushtarake të dy vendeve. Sipas tij, marrëdhëniet janë shumë të mira dhe ushtritë bashkëpunojnë ngushtë, duke shtuar se ushtria amerikane është “më e fuqishmja në botë”.
Ai vuri në dukje se Izraeli përdor një numër të madh sistemesh amerikane të armatimit, përfshirë avionë, raketa dhe sistemet e mbrojtjes Patriot.
Paralajmërim për NATO-n për Ngushticën e Hormuzit
Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se NATO mund të përballet me një “të ardhme shumë të keqe” nëse aleatët nuk kontribuojnë në garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit.
Në një intervistë telefonike për Financial Times, Trump tha se është logjike që vendet që përfitojnë nga kjo rrugë strategjike detare të ndihmojnë në mbrojtjen e saj.
“Nëse nuk ka përgjigje ose nëse përgjigjja është negative, mendoj se kjo do të jetë shumë e keqe për të ardhmen e NATO-s”, tha ai.
Ai kujtoi gjithashtu mbështetjen që SHBA i ka dhënë Ukrainës në luftën kundër Rusisë, duke shtuar se tani pret që edhe aleatët të mbështesin Shtetet e Bashkuara.
Kur u pyet se çfarë lloj ndihme kërkon, Trump u përgjigj: “Çfarëdo që të jetë e nevojshme”, duke përfshirë edhe anije për pastrimin e minave detare.
Përgjigje pozitive nga disa vende
Trump deklaroi se Uashingtoni ka marrë disa përgjigje pozitive nga vendet që u janë drejtuar për ndihmë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, megjithëse disa qeveri preferojnë të mos përfshihen.
Duke folur me gazetarët në avionin presidencial Air Force One, ai tha se disa vende kanë mjete ushtarake që mund të kontribuojnë në operacionet e sigurisë në zonë, si anije për çminimin e detit.
Presidenti amerikan theksoi se vendet që varen energjetikisht nga kjo zonë duhet të marrin pjesë aktivisht në mbrojtjen e saj.
“Është vendi nga ku marrin energjinë e tyre dhe duhet të na ndihmojnë për ta mbrojtur”, u shpreh ai.
Pakënaqësi ndaj Britanisë së Madhe
Trump shprehu gjithashtu pakënaqësi ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer, duke kritikuar mungesën e mbështetjes së menjëhershme për sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit.
Ai tha se Londra ofroi të dërgonte dy anije vetëm pasi situata ishte stabilizuar.
“Ne kishim nevojë për ato anije para se të fitonim, jo pas”, deklaroi Trump, duke përsëritur se sipas tij “NATO është një rrugë me një kah”.
Irani nuk është gati për t’i dhënë fund luftës
Presidenti amerikan deklaroi se SHBA zhvillon bisedime me Iranin, por sipas tij Teherani nuk është ende gati për t’i dhënë fund konfliktit.
“Po, kemi bisedime me ta, por nuk mendoj se janë ende gati, edhe pse nuk janë shumë larg”, tha Trump, duke shtuar se forcat iraniane janë dobësuar ndjeshëm nga bombardimet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit që kanë nisur më 28 shkurt.











