Importet dhe eksportet e mallrave të Kinës arritën një nivel rekord 5.16 trilionë juanë (771 miliardë dollarë) në shtator, duke e kaluar për herë të parë shifrën 5 trilionë juanë brenda një muaji e duke shënuar një rritje 27.5 % krahasuar me të njëjtën periudhë vjet, sipas të dhënave doganore të publikuara të mërkurën.
Kjo shënon muajin e gjashtë radhazi që rritja mujore e tregtisë së jashtme të Kinës është në nivele dyshifrore, duke nxjerrë në pah vrullin e qëndrueshëm të tregtisë së jashtme të vendit.
Sipas Administratës së Përgjithshme të Doganave, në tre tremujorët e parë të vitit 2026, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave të Kinës arriti në 39.94 trilionë juanë, me një rritje prej 18.8 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Eksportet u rritën me 16.4 % në bazë vjetore, duke shkuar në 23.2 trilionë juanë, ndërsa importet me 22.3 %, duke arritur vlerën e 16.74 trilionë juanëve.
Vetëm në shtator eksportet arritën në 3.03 trilionë juanë, kurse importet në 2.13 trilionë juanë, me një rritje përkatësisht 29.6 dhe 24.6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Administrata e Përgjithshme e Doganave vuri në dukje që shifrat pasqyrojnë shtimin e vazhdueshëm si të eksporteve, ashtu edhe të importeve, teksa rritja e importeve e ka tejkaluar atë të eksporteve gjatë tre tremujorëve të parë të sivjetshëm.
Burimi: Lajme ndërkombëtare
