Biznesmeni gramshiot Eral Myftaraj është paraqitur këtë të hënë në SPAK, duke iu përgjigjur thirrjes së BKH pa avokat dhe në cilësinë e personit në dijeni, ndërsa burime nga SPAK bëjnë me dije se dëshmia e tij lidhet me disa tendera publikë që po hetohen dhe që dyshohet se janë fituar në kushte korruptive. Paraqitja e tij vjen në një moment kur hetuesit kanë intensifikuar kontrollet mbi aktivitetin e tij të dyshimtë, duke vendosur përgjime dhe duke ndjekur nga afër lëvizjet e tij.
E gjithë kjo veprimtari e tij prej vitesh ka krijuar një perandori të tërë biznesi mbi kurrizin e buxhetit të shtetit, ku vetëm me dy nga kompanitë e tij,Meteo shpk dhe AL-MEXWOOD shpk, Myftaraj ka përfituar rreth 60 milionë euro tendera publikë, duke u kthyer në një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike në Qarkun e Elbasanit dhe më gjerë. Kompania Meteo, e specializuar në ndërtim, i ka sjellë atij rreth 45 milionë euro të tjera, ndërsa AL-MEXWOOD ka siguruar mbi 6 milionë euro, por totali i transaksioneve të tij nga Thesari i Shtetit nga viti 2019 e deri më sot kap shifrën marramendëse prej 33 miliardë lekësh, ose rreth 300 milionë euro, duke e bërë të qartë se përballë kemi një nga gllabëruesit më të mëdhenj të parasë publike në vend.
Ky biznesmen i cili jeton si një sheik i vërtetë mes vilave luksoze, makinave të shtrenjta, skafeve dhe pushimeve në vende ekzotike, duke sfiduar hapur drejtësinë dhe barazinë para ligjit, nuk ka arritur të ndërtojë këtë perandori vetëm me aftësitë e tij sipërmarrëse, por falë lidhjeve të ngushta klienteliste dhe korruptive me një rrjet të tërë zyrtarësh publikë dhe politikë, ku kryefjala është ish-ministri i Brendshëm dhe i Bujqësisë, Bledi Çuçi.
Marrëdhënia e Myftarajt me Çuçin nuk është thjesht njohje e rastësishme, por një ortakëri faktike e deklaruar hapur nga vetë Myftaraj, i cili ka pohuar se bizneset i kishte bashkë me ish-ministrin dhe pikërisht kjo lidhje ka bërë që asnjë institucion ligjzbatues të mos e prekte dhe të vazhdojë të mos e prekë, pavarësisht provave të shumta të mashtrimeve, manipulimeve të tenderave, ryshfeteve dhe pastrimit të parave.
Hetimi i SPAK për tenderët e Myftarajt duket se ka nisur të zbulojë shtresat e këtij kompleksi korruptiv, ku secili tender është shoqëruar me skualifikimin e ofertave më të ulëta, me pazare në tavolinë, me oferta fituese gati sa fondi limit dhe me flamuj të kuq korrupsioni, duke krijuar një model të përsëritur që ka funksionuar pa pengesa për vite me radhë.
Vetëm gjatë 7 viteve të fundit, Myftaraj ka marrë tenderë nga Bashkitë e Gramshit, Elbasanit, Librazhdit, Tiranës, Dimalit, Rrogozhinës e Shijakut, nga Ujësjellësi i Elbasanit, nga Drejtoria e Parqeve në Tiranë, nga Spitali i Elbasanit, nga Bordi i Kullimit Korçë, nga Ministria e Bujqësisë dhe nga FSHZH, duke krijuar një rrjet të gjerë ku funksionarë të ndryshëm kanë firmosur kontrata të dyshimta, mes të cilëve Erinda Fino, Tomorr Zaimaj, Luan Tabaku, Çlirim Puto, Dasantila Tahiraj, Irland Sina, Juliana Memaj, Antonela Dedej, Nuri Belba, Arben Asllani dhe Dritan Agolli.
Një nga rastet më flagrante është ai i tetorit 2024, kur Bashkia Gramsh shpalli kompaninë Meteo fituese të tenderit me vlerë 800 mijë euro për ndërtimin e pritave në bregun e lumit Devoll, ku oferta e Myftarajt ishte gati sa fondi limit duke ngritur dyshime të mëdha, dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se ai kishte marrë pagesa për punime që nuk i kishte kryer, duke mashtruar me volumin dhe cilësinë e hekurit të përdorur, për të cilën KLSH i kërkoi Bashkisë së Gramshit të verifikonte nëse pritat ishin ndërtuar sipas kontratës dhe të arkëtonte vlerën 1.3 milionë lekë për punime të pakryera.
Po ashtu, Qendra Spitalore Rajonale Berat, e drejtuar nga socialisti Arben Konomi, ka shpallur fituese kompaninë AL-MEXWOOD të Myftarajt për një tender furnizimi me pelet druri me vlerë mbi 90 milionë lekë, ku oferta më e ulët u skualifikua dhe tenderi u shënua me flamur të kuq për dy shkelje të ligjit të Prokurimeve Publike.
Shtrirja e këtij karteli kompanish të kontrolluara nga Myftaraj, që përfshin jo vetëm Meteo dhe AL-MEXWOOD, por edhe ALMEX GREENWOOD, Aga Solar Park Holding’s, Albanian Archives dhe HXH, tregon një strukturë të organizuar për të përvetësuar para publike, për të pastruar miliona euro dhe për të devijuar fonde nëpërmjet transaksioneve të dyshimta drejt xhepave të zyrtarëve dhe figurave të krimit.
Koncesioni i dhënë nga kryeministri Edi Rama për Fidanishten Shtetërore të Cërrikut, një pasuri prej 10 mijë metrash katrorë që Myftaraj e mori falas për 35 vjet, së bashku me një fond ndihme prej 875 milionë lekësh, është një tjetër shembull i dhuratave që pushteti i ka bërë këtij biznesmeni të lidhur ngushtë me emrat e fortë të politikës.
‘Xhambazi’ Eral Myftarajt nuk kufizohet vetëm në korrupsionin dhe mashtrimin e tenderave. Sipas burimeve, ai ka qenë pjesë e bandës së Zamir Balliut (por jo vetem), e cila merret me kontrabandën e hekurnikelit, trafikun e makinave dhe drogën, dhe pikërisht këto lidhje me botën e krimit të organizuar, të kombinuara me mbrojtjen politike të ish-ministrit Çuçi, i kanë siguruar atij një lloj paprekshmërie që e ka mbajtur larg çdo ndërhyrjeje ligjore deri në këtë fazë. Ky fenomen i afrimit të personazheve të botës së krimit nga kupola e pushtetit, që urdhëron drejtorë dhe kryebashkiakë të ndajnë fonde publike për të mbledhur para për vota dhe për të mbushur xhepat e të fortëve, duket se po vihet gjithnjë e më shumë në dukje, dhe thirrja e Myftarajt në SPAK mund të jetë fillimi i një zbërthimi të kësaj marrëdhënieje të ndyrë midis politikës, krimit dhe parasë publike.
Tenderi i fundit që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është ai i ujësjellësit të fshatrave Trash e Karthnek të Peqinit, ku drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, i emëruar nga bandat e Elbasanit, ka sajuar një tender të përshpejtuar brenda 10 ditëve dhe ia ka dhënë kompanisë AL-MEXWOOD të Myftarajt në vlerë 2.7 milionë euro me TVSH, ose 99.3 për qind të fondit limit, duke e quajtur atë garë të hapur me ofertë më të ulët, ndërsa në fakt nuk ka pasur asnjë ofertë tjetër konkurruese, por vetëm oferta e kompanisë së mikut dhe ortakut të Bledi Çuçit, ku formalisht janë bashkuar edhe dy kompani të tjera të lidhura me kupolën socialiste. Ky tender i dhënë me pazar në tavolinë, me procedurë të përshpejtuar, ka shërbyer për të vazhduar të njëjtin model të pandëshkuar që i ka sjellë Myftarajt miliona euro nga buxheti, ndërsa tani hetuesit e SPAK po përpiqen të mbledhin provat e mjaftueshme për të thyer këtë mur mbrojtës që e ka mbajtur të paprekshëm për kaq shumë vite.
Pas finalizimit të tenderit 7 milionë euro të Ujësjellësit të Elbasanit në korrik 2023, Myftaraj ka ndryshuar numrin e telefonit, ka zhdukur telefonat, dokumentet dhe kompjuterat, një veprim që tregon qartë se ai është në dijeni të rrezikut që e rrethon dhe po përpiqet të shkatërrojë provat përpara se hetuesit të arrijnë ta kapin. Por thirrja e tij në SPAK, pa avokat dhe si person në dijeni, tregon se prokurorët e posaçëm po e shtrëngojnë unazën dhe se dëshmia e tij mund të jetë vendimtare për zbardhjen e një prej skemave më të mëdha korruptive të financuara me para publike në vend. Pyetja që mbetet është nëse këtë herë drejtësia do të arrijë të depërtojë përtej mburojës politike që ka mbrojtur Myftarajn dhe nëse sheiku i tenderave do të zbresë përfundimisht nga luksi i tij për t’u përballur me ligjin. /Pamfleti

