Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7 ka goditur rajonin e Tibetit në Kinë, duke shkaktuar të paktën 16 viktima dhe 54 të plagosur, si dhe duke shembur qindra banesa dhe ndërtesa të tjera në qytetin verior të Nagqu-së dhe zonat përreth, raportojnë mediat zyrtare kineze.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), lëkundjet sizmike u regjistruan të enjten, në orën 22:33 sipas kohës lokale. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 191 kilometra në lindje-verilindje të Nagqu-së, në një zonë malore me popullsi të rrallë, në Tibetin verior.
Transmetuesi shtetëror kinez CCTV raportoi se ky ishte tërmeti më i fuqishëm që ka goditur rajonin gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas zyrës së medias në Nagqu, të paktën 339 banesa dhe 20 stalla bagëtish janë shembur si pasojë e lëkundjeve, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar banorët e prekur.
Presidenti kinez Xi Jinping ka bërë thirrje për mobilizimin e të gjitha kapaciteteve në operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe për garantimin e ndihmës mjekësore për të plagosurit.
Ndërkohë, më shumë se 1,600 persona janë angazhuar në terren për operacionet e kërkim-shpëtimit dhe përballimin e pasojave të tërmetit.
Autoritetet kanë dërguar gjithashtu furnizime emergjente për banorët e prekur, përfshirë 1,000 njësi banimi të parafabrikuara, 3,000 tenda, krevate të palosshme, fenerë dhe veshje dimërore, për të siguruar strehim dhe mbrojtje nga temperaturat e ulëta.
Operacionet e shpëtimit dhe të ndihmës vijojnë, ndërsa autoritetet kineze po përqendrohen në mbështetjen e të prekurve dhe në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
The post Tërmeti në Kinë shkaktoi të paktën 16 të vdekur dhe 54 të plagosur appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë
